Londër, kapet shqiptari që vrau me thikë Asim Markun

19/04/2015 00:00

Policia londineze Scotland Yard thotë se ka ngritur akuzat ndaj një shtetasi shqiptar për vrasje.

I arrestuari është Hysni Avdyli, 43 vjeç, i cili mbrëmjen e së enjtes goditi me thikë në rrugën Lea Bridge Road, E10, 34-vjeçarin shqiptar Asim Marku.

Viktima ka ndërruar jetë në spital.

Vrasja e Asim Markut, siç njoftojnë mediat lokale, ndodhi në lokalin La Dolce Vita, në zonën e Leyton, në Lindje të Londrës.

Dëshmitarja okulare Sharifa Master tha: “Dëgjova një zhurmë dhe mendova se diçka po ndodhte. Nuk i kuptoja se çfarë thonin ata, pasi nuk flisnin anglisht. Pashë më pas që erdhën dy makina dhe një burrë hyri me shpejtësi në njërën prej tyre”.

Detektivët që po hetojnë këtë vrasje kanë deklaruar se ata besojnë për një grindje të disa orëve më parë, e cila përfundoi më pas në vrasje.

Gazeta ‘The Guardian’ e zonës Epping Fores, në faqen “online” shkruan se pronari i lokalit ku ndodhi vrasja është Myrteza Hilaj.

Në të shkuarën, banorët lokalë kanë njoftuar policinë për zhurmën që shkaktohej brenda tij.

Top Channel