PD-ja zyrtarizon kandidatët për Dibrën, Sarandën, Shijakun dhe Gramshin

19/04/2015 00:00

Partia Demokratike ka vijuar zyrtarizimin e kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Të dielën, partia më e madhe opozitare në vend ka shpallur kandidatët për Bashkinë e Dibrës, Sarandës, Shijakut dhe Gramshit.

Ilir Krosi do të garojë për Dibrën, Kreshnik Bozho për Sarandën, Kodhel Çala për Gramshin dhe Redi Saraçi për Shijakun.

Gjithashtu, PD-ja ka njoftuar se për Bashkinë e Poliçanit do të garojë Florian Qama, ndërsa për Bashkinë e Pustecit do të kandidojë Mihallaq Apostollofski.

Të shtunën, PD-ja zyrtarizoi edhe kandidatët e Bashkisë së Vlorës, Selenicës dhe asaj të Librazhdit.

Genc Deromema do të garojë për Bashkinë e Vlorës, duke u përballur me Dritan Lelin, i shpallur nga Partia Socialiste. Ndërkohë, Përparim Shameti kërkon kreun e Bashkisë së Selenicës. Nga koalicioni i majtë është shpallur Kasem Senaj, i cili vjen nga radhët e LSI-së.

Në Librazhd demokratët do të garojnë me Fadil Brazhdan, që do të ketë përballë kandidatin socialist, Kastriot Gurra.

Top Channel