Ristani në Vlorë: Qeveria nuk ndalon dot eksodin

19/04/2015 00:00

Pas ngritjes së departamentit për të përndjekurit politikë dhe pronarët, në prag të zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit, Partia Demokratike ka zhvilluar në Vlorë një konferencë rajonale me temë “Pjesëmarrja në politikëbërje e familjeve të të përndjekurve politikë, domosdoshmëri për demokracinë”.

Aktiviteti është zhvilluar në ambientet e teatrit “Petro Marko”, ku i pranishëm ka qenë edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, njëherësh deputet i Vlorës, Arben Ristani.

Përpara familjarëve të të përndjekurve politikë dhe pronarëve, përfaqësuesve dhe drejtuesve të shoqatave të të përndjekurve politikë, Ristani tha se PD-ja ka një strategji të qartë për bashkëpunim me shtresën e të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve.

“Edhe pse PD-ja ka patur plane të qarta për këto shtresa, nuk ka bërë aq sa duhet, prandaj kësaj here do të fillojmë nga e para me një plan të qartë bashkëpunimi për t’i përfshirë këto shtresa në politikëbërje”, tha Ristani.

Në këtë konferencë rajonale, kryetari i Shoqatës Antikomuniste, kryetari i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë, kryetari i Partisë së të Drejtave të Mohuara, ish të përndjekur politikë dhe familjarë të tyre u shprehën se në këto vite nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur nga politika.
 
Arben Ristani ka folur edhe për kandidatin e të majtës për Bashkinë e Vlorës, për ikjet masive të shqiptarëve në Gjermani dhe për ato që ai i ka quajtur mosmbajtje të premtimeve nga mazhoranca qeverisëse. Ristani ka hedhur këto akuza: “Po vijnë bijtë e etërve, dardha nën dardhë bie. E majta ka zgjedhur kandidatë që kanë po të njëjtin vizion me etërit e tyre. Ajo që po ndodh është riciklim me forma dhe mënyra të tjera, por me të njëjtim qëllim. Po flasim për njerëz që u ngjajnë etërve e që nuk duan dhe nuk do t’i shërbejnë popullit”, tha Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së nuk ka lënë pa përmendur edhe ikjet masive të shqiptarëve në Gjermani: “Kanë nisur ridiskutimet për të rivendosur vizat sepse qeveria nuk është në gjendje të kontrollojë kufijtë dhe të ndalojë këtë eksod”.

Në fund, Ristani ka bërë një krahasim të qeverisjes së PD-së dhe PS-së.

“Ne kemi qenë shembulli i punës dhe djersës, ndërsa këta janë shembulli i mashtrimeve dhe gënjeshtrave”, tha ai.

Top Channel