Finlandezët në zgjedhje, kriza ekonomike mund të çojë në ndërrimin e pushtetit

19/04/2015 00:00

Edhe pse më e mirë se e shumë vendeve të tjera, ekonomia finlandeze prej tre vjetësh është në ngërç, duke u shndërruar kështu në shqetësimin kryesor të elektoratit në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Borxhet e vendit janë të larta e shumë familje ndeshen me vështirësi ekonomike, një situatë e rëndë kjo që shkon në favor të populistëve të djathtë. Shumë prej finlandezëve që i drejtohen qendrave të votimit shpresojnë se një qeveri e re do ta nxjerrë vendin nga kriza.

Kryeministri Alexander Stubb dhe partia e tij konservatore, Koalicioni Nacional, përballen me sfidën e fortë të ish-biznesmenit Juha Sipila dhe Partisë Liberale të Qendrës. Sipila është zotuar të krijojë 200.000 vende pune përgjatë 10 viteve të ardhshme. Me ekonominë shtyllë kryesore të fushatës elektorale, garuesit janë përpjekur të bëjnë premtime sa më konkrete. Një vit stanjacioni në 2014-n u parapri prej dy vitesh recesioni dhe papunësie që sot mbërrin në 9.2%.

Koalicioni qeveritar është munduar me shumë zor të zbatojë reformat, por mosrealizimet e tij kanë çuar drejt një rrudhjeje të ndjeshme të mbështetjes për kryeministrin Stubb.

Populistët kërkojnë shumë fort të hyjnë në qeveri. Grupimi politik “finlandezët e vërtetë” mund të sigurojë sipas sondazheve një të pestën e mandateve në Parlament. Për drejtuesit e saj, kreu i ekzekutivit aktual ka qenë më pro-europian sesa duhet.

“Ekonomia është tema numër një. Por, tek çështja e integrimeve është me rëndësi që shteti ynë një ditë të mos bëhet shtet federal europian, si në SHBA apo në Gjermani. Unioni i bankave është i papranueshëm sepse në një moment të gjithë janë përgjegjës për dëmet dhe borxhet”, thotë Heikki Kohonen, i cili refuzon ndihma të tjera për vendet si Greqia.

Shumë finlandezë janë skeptikë ndaj Eurogrupit, ndërsa refuzojnë politikën e kursimeve. Megjithatë, sipas ekspertëve, edhe qeverisë së re do t’i duhet të nisë nga puna me shkurtime. Finlanda është një prej vendeve me administratën më të fryrë shtetërore dhe ka nivelin më të lartë të tatimeve në Europë, çka konsiderohet si një shkak i ngecjeve ekonomike.

Top Channel