Shkodër, Basha prezanton Voltana Ademin dhe akuzon Qeverinë

19/04/2015 00:00

Demokratët në Shkodër kanë vendosur shpresën dhe besimin tek ish-prefektja, Voltana Ademi për të vazhduar edhe 4 vjet të tjera drejtimin e Bashkisë më të rëndësishme të veriut.

Mes qytetarësh shkodranë, përpara bashkisë, zonja Ademi u prezantua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si një përfaqësuese me vlerat më të mira të qytetit bastion për demokratët.

“Është kujdesur për Shkodrën dhe shkodranët në detyra të ndryshme që i janë besuar dhe që nesër do kujdeset për çdo shkodran e shkodrane e do të luftojë për ta si kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Shkodrës, zonja Voltana Ademi”, u shpreh Basha.

“Do bëjmë atë që të rinjtë e të rejat që jetojnë sot në Shkodër sikurse të rinjtë e Europës ta shohin të ardhmen e familjeve të tyre në Shkodër gjithmonë, në një qytet europian për të cilën ne tashmë e kemi nisur rrugën e zhvillimit. Do ta bëjmë bashkë dhe do fitojmë, do fitojmë të gjithë bashkë, PD do të fitojë në Shkodër, njerëzit populli i Shkodrës, të gjithë ne dhe kështu do të bëjmë të mundur që të jetojmë në qytetin më të lumtur që kemi dëshiruar të kemi gjithmonë duke punuar fortë, me vetëmohim, përkushtim, dashuri dhe bashkë me njëri-tjetrin duke ia dhënë krahun njëri-tjetrit dhe duke punuar me njëri-tjetrin duke u parë sy më sy, duke qenë të sinqertë dhe dukë e bërë këtë të mundur realitet. Vetëm kështu ne mund ta bëjmë Shkodrën”, tha kandidatja e PD, Voltana Ademi.

Partia Demokratike në këto zgjedhje beson se ka në favor çdo premtim të pa mbajtur të qeverisë dhe sipas kreut të opozitës, ato janë premtimet me të cilat Rama dhe Meta erdhën në pushtet; ulja e taksave, ulja e çmimit të energjisë, hapja e vendeve të reja të punës.

“Kjo e keqe e ka emrin Edi Rama dhe Ilir Meta”, tha Basha.

Kreu i opozitës akuzoi qeverinë se me shpunësimin masiv, pasigurinë si në 97 -ën dhe shpërdorimin e besimit të shqiptarëve pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ajo është shndërruar në shkaktaren e eksodit masiv të shqiptarëve, që janë në vendin e dyte pas sirianëve si azilkërkues në vendet e Bashkimit Europian.

“Pse po largohen shqiptarët nga shtëpitë e tyre?! Pelivani kryeministër thotë se janë banda dhe organizata kriminale që e shkaktojnë këtë eksod. Dakord jam edhe unë, por banda e ka emrin qeveria e Republikës së Shqipërisë, me në krye Ilir Metën e Edi Ramën”, tha kreu i PD-së.

Lulzim Basha u beri thirrje shqiptarëve nga Shkodra që votën e 21 qershorit ta konsiderojnë një referendum politik kundër qeverisjes Rama-Meta.

Top Channel