Sfida e qytetarëve në zgjedhjet lokale

19/04/2015 00:00

Dorian Koçi – Për një lexues shqiptar të letërsisë së antikitetit, kur lexon komedinë romake “Menaechmi” të Plautit, përveçse shijimit të humorit të hollë të veprës, ka dhe një kënaqësi të veçantë për shkakun se ngjarjet zhvillohen në qytetin e vjetër antik të Durrësit,- Epidamnin apo “Tavernën e Adriatikut” si e thërrisnin në botën antike. Kënaqësia, natyrisht nuk është vetëm e durrsakëve që lexojnë për qytetin e tyre, por dhe e gjithë shqiptarëve, sepse kështu ata ndihen pjesë e kulturës së gjerë latine, një nga trashëgimitë bazë në krijimin e Europës moderne.

Komeditë e Plautit quhen ndryshe “komeditë e keqkuptimeve” pasi kanë në themel të tyre si motiv kryesor situatat komike që lindin nga keqkuptimet në marrëdhëniet dhe njohjet njerëzore. Por jo gjithmonë keqkuptimet mund të krijojnë situata komike. Ato shpeshherë mund të hedhin dhe dritëhije mbi situatat duke bërë të mundur që e “qeshura të mos kthehet në të qarë” si thotë shprehja e urtë popullore shqiptare dhe për më tepër të reflektohet që situatat, ngjarjet dhe rrethanat të përmirësohen. Bota latine nuk mund ta pranonte kollaj emrin Epidamnus për Durrësin, pasi e lidhnin atë me rrënjën e fjalës “damno”-të mallkosh, por e vuri atë në qendër të një “komedie keqkuptimi”, duke i lënë këtë të fundit dashje pa dashje si “mallkim” që aq shumë u mundua ta shmangte qoftë dhe nëpërmjet ndërrimit të emrit nga Epidamnus në Dyrrah.

Mund të jenë të shumtë “keqkuptimet” në historinë e Durrësit mijëravjeçar që nga koha e romakëve dhe së bashku me të edhe të Shqipërisë, por në shekullin e kaluar dhe në këtë të sotmin, dy janë që spikasin më tepër. Së pari, Durrësi u shpall kryeqyteti i Shqipërisë që krijuan Fuqitë e Mëdha në Londër më 1913, duke u bërë dhe qyteti ku Princ Vidi krijoi administratën e vet dhe ushtroi pushtetin për gjashtë muaj. Aq e vërtetë ishte kjo gjë sa dhe Kryeministri anglez, Chamberlen, shumë vite më vonë, më 1939 kujtonte se Durrësi ishte kryeqytet i Shqipërisë pasi të gjitha telegramet që i lexonte rreth situatës në Adriatik i vinin nga konsullata angleze që vazhdonte ta kish qendrën në Durrës. Por fatkeqësisht, sot për sot në gjithë qytetin, por edhe në Shqipëri nuk mund të gjendet qoftë dhe një godinë e vetme që të dëshmojë këtë realitet të fillimit të shekullit XX. Kjo gjë natyrisht që të krijon një trishtim, pasi nuk bëhet fjalë për një periudhë shumë të largët, por të njëjtën kohë është dhe një kambanë alarmi për të kuptuar se trashëgimia historike e shqiptarëve nuk mund të gjendet e përjetësuar vetëm në veprat të huajve, si është komedia e Plautit, por duhet ruajtur dhe vlerësuar nga vetë qytetarët dhe opinioni publik vendas si vlerë e patjetërsueshme në thesarin kulturoro-shpirtëror të një vendi. Durrësi dhe trashëgimia historike e Shqipërisë në të kaluarën, por për fat të keq dhe në të sotmen, vazhdojnë të jenë të kërcënuar nga moderniteti i shfaqur shëmtueshëm nga ndërtimet pa kriter, ku në emër të “dëshirës” për t’u zhvilluar është duke u shkatërruar e shkuara, e përjetësuar dhe në godinat që tashmë nuk ekzistojnë më.

Së dyti, Durrësi dhe qytetet e tjera bregdetare të Shqipërisë pretendohen që janë potenciale kryesore të zhvillimit turistik të vendit, por në realitet janë larg nga titulli që gëzonte Durrësi në botën antike “Taverna e Adriatikut”, nëse krahasohet me qytetet e tjera të Adriatikut të Italisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Natyrisht që në këtë krahasim midis brigjeve të Adriatikut, zënë një rol të veçantë dhe faktorë të tjerë historiko-socialë, por ajo që ka qenë në duart e administratës së pushteteve lokale si pastrimi i territorit, sigurimi i ujit të pijshëm, kanalizimet dhe sistemimet e mbetjeve urbane etj., nuk mund të thuhet se kanë qenë më e mira e mundshme. Kaosi urban që ekziston gjatë gjithë vijës bregdetare të Adriatikut i ka humbur origjinalitetin e dikurshëm duke e kthyer nga qendra të këndshme për të pushuar, në tollovira kaotike që kërkojnë mund dhe pasion për ta ndrequr. Ndërhyrjet e INUK dhe Agjencisë së Bregdetit duhen përshëndetur, sepse po mundohen të vënë rregull në një kaos të frikshëm, ndaj pushteti i ardhshëm lokal duhet të jetë një partner i denjë i tyre dhe ta mbajnë sa më larg konfliktin politik. Qeverisjet moderne nënkuptojnë dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në qeverisje jo vetëm përmes votimeve, por dhe krijimit të grupeve të organizuara të tyre për të çuar përpara kauza të drejta. Ka ardhur koha që qytetarët të krijojnë këto grupe kauze për trashëgiminë kulturore, ambientin e turizmin në mënyrë që të ushtrojnë presion pozitiv ndaj administratës lokale dhe të mos e lënë fatin e qyteteve të tyre në llogaritjet apo pazaret elektorale që bëhen çdo katër vjet.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel