Papa: Të frenojmë klandestinët

19/04/2015 00:00

Vetëm një ditë më parë, Papa i bëri thirrje Europës dhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar të bëjnë më shumë për frenimin e numrit në rritje të emigrantëve të dëshpëruar që i hyjnë një udhëtimi me “kokë në torbë” nëpër Mesdhe.

Ati i Shenjtë falenderoi Italinë, mbajtësen e peshës më të madhe të përpjekjeve të shpëtimit dhe apeloi për një “përfshirje më të gjerë”. E vërteta është se Italia, e vetme, nuk e përballon dot këtë situatë. Por, kur vjen fjala tek një zgjidhje e shpejtë, edhe Europa ngre duart lart, siç dëshmon deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Natasha Bertaud.  

“Nuk kemi një plumb të argjendtë për ta bërë makthin të largohet”, ishin fjalët e saj.

10.000 klandestinë janë shpëtuar përgjatë javës që kaloi nga Roja Bregdetare italiane. 400 u mbytën të hënën dhe 700 mund të kenë humbur jetën në det mbrëmjen e kaluar. Njerëz të dëshpëruar që i largohen mjerimit dhe konflikteve në Afrikë e Lindjen e Mesme. Apeli i përsëritur i Papës i bën jehonë thirrjes së tij të muajit shkurt: Mesdheu, tha kreu i Kishës Katolike, rrezikon të kthehet në një varrezë gjigande.

Trafikantët pastaj përshkruhen si qeniet më mizore që pothuajse i qeshin Europës në sy.

“Ju nuk e ndaloni dot këtë që po ndodh”, citonte javë më parë publicisti italian Andrea di Nicola njërin prej tyre, të intervistuar gjatë një rrugëtimi të tij në rajon.

“Po u përpoqët ta frenoni, po mbyllët kufijtë, ta dini se unë do fitoj më shumë sepse çmimi ka për t’u rritur”, shtonte trafikanti.

Një gjë të ngjashme bëri në vitin 1999 adminsitrata Klinton, kur vendosi të ndryshonte strategji e të forconte ndjeshëm kontrollet kufitare në El Paso, San Diego dhe Arizona. Reagimi i emigrantëve nuk ishte frenimi nga përpjekjet për t’u hedhur në anën tjetër, ata thjesht kërkuan rrugë alternative të cilat i shtynë në zona të thella e të rrezikshme e për pasojë, numri i vdekjeve u rrit akoma më shumë.

Ideja që hodhi në fund të shkurtit presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulz, ishte ajo e krijimit të një sistemi të ri emigracioni. Lipset shtim i përpjekjeve humanitare, por edhe një zgjidhje politike afatgjatë, në kuadër të të cilit përmendet ndarja e peshës mes vendeve anëtare, të cilët duhet të kontribuojnë që të gjithë në këtë drejtim. Si një mënyrë për ndalimin e fenomenit të emigracionit të paligjshëm, që po merr kaq shumë jetë njerëzish, Shulz pati përmendur mundësinë që këtyre njerëzve t’u lehtësohet hyrja në kontinentin e vjetër në rrugë të ligjshme.  

Top Channel