Debati për ligjin e Arsimit të Lartë, Ministria: “Kapitulli 12”, më shumë pavarësi universiteteve

19/04/2015 00:00

Senati i Universitetit të Tiranës, por edhe Forumi për Liri Akademike, janë shprehur kundër ‘kapitullit 12’ të projektligjit të Arsimit të Lartë, i cili është miratuar nga Qeveria.

Senati i ka cilësuar si antikombëtar dhe antikushtetues nenet e këtij kapitulli, të cilët sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Plarent Ndreca i sheh si një mundësi zhvillimi  dhe autonomie . Sipas Ndrecës, kthimi i universiteteve publike në institucioneve të pavarura do të kërkojë edhe mbështetjen e Qeverisë.

“Shteti do të jetë themelues i fondacioneve dhe më tej i institucionit të Arsimit të Lartë publik të pavarur. Nuk do të ketë anëtarë bordi nga subjekte private sepse është shteti themelues, por sigurisht që në institucionet të cilat transferohen nga subjektet private patjetër që do të kenë anëtarë nga themelues të këtyre shoqërive tregtare”, deklaroi Ndreca.

Një nga pikat më të debatuara është neni ku universitetet private, të cilat mund të marrin statusin e institucioneve të pavarura mund të përfitojnë fonde publike pasi ato të kthehen në fondacione.

“Shoqëria tregtare që aktualisht është pronare e institucionit të Arsimit të Lartë privat do të ketë mundësinë për të themeluar fondacionin dhe për të lënë pasuritë apo të mirat materiale në llogari të fondacionit, por pa të drejtë rikthimi. Jo pa qëllim është zgjedhur kjo formë juridike sepse ka këtë specifikë”, tha sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit.

Përfaqësuesit e universitetit thonë se nuk e kanë kërkuar këtë mënyrë administrimi dhe zhvillimi i cili për ta është eksperimental dhe aspak i drejte.

“Për tre vjet, jo vetëm institucionet e Arsimit të Lartë publik, por edhe Qeveria do të angazhohet për të bërë të mundur që shumica e institucionit të Arsimit të Lartë publik të kenë mundësinë të kalojnë në institucionin e Arsimit të Lartë të pavarur. Duhet thënë se kjo është një mundësi, nuk është me detyrim”, shtoi Ndreca.

Ministria ka vendosur një afat prej tre vjetësh për shëndoshjen e universiteteve, të cilat prej vitesh kanë mungesa të theksuara në infrastrukturë, laboratorë dhe kurrikula. Ky draft ka marrë miratimin e Qeverisë, por pritet të jenë parlamentarët ata që do të japin veton finale nëse duhet ose jo të miratohet në këtë formë.

Top Channel