Tragjedia në Mesdhe, i mbijetuari: Ishim 950 në peshkarexhë

20/04/2015 00:00

“Në bord ishim 950 persona. Kishte 50 fëmijë dhe 200 femra”. Kjo është deklarata që ka dhënë në Prokurorinë e Katanias një i mbijetuar i mbytjes së peshkarexhës që çoi në vdekjen e rreth 700 personave.

Burri nga Bangladeshi ka shtuar se shumë nga klandestinët ishin mbyllur në nivelet e poshtme të mjetit lundrues dhe nuk lejoheshin të dilnin nga trafikantët.

“U nisëm nga një port rreth 50 kilometra nga Tripoli (Libi). Ata që paguajnë më pak mbyllen poshtë dhe kanë shumë pak hapësirë në dispozicion”, thotë një nga 28 të mbijetuarit.

Ndërkohë, kapiteni i anijes tregtare portugeze që arriti të shpëtonte një numër fare të vogël personash në krahasim me atë që ishin në bordin e peshkarexhës, tregon: “Po shkonim drejt tyre, por në momentin që na panë, nisën të lëviznin shumë dhe mjeti u përmbys”.

Në ato momente, gjithçka merr fund. Ai që ka mundur, është kapur diku. Por, shumica as nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur. Kush ishte i mbyllur në nivelet e poshtme të peshkarexhës, vetëm ka dëgjuar zhurmën e dërrasës që thyhet dhe ka parë ujin që hyn ngado.

Në zonën ku ka ndodhur mbytja, rreth 60 milje në veri të Libisë, vazhdojnë kërkimet nga deti dhe ajri me shpresën gjithnjë e më të pakët të gjetjes së ndonjë të mbijetuari.

Kryeministri italian Matteo Renzi ngriti zërin duke i kërkuar Europës “që të mos na lërë vetëm, jo vetëm në trajtimin e emergjencës në det. E jona është një çështje politike, ka të bëjë me dinjitetin e njeriut. Duhet bllokuar ky trafik qeniesh njerëzore”.

Në të njëjtën linjë është edhe deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, i cili pranoi “peshën që po përballon Italia” me mbërritjen e emigrantëve dhe shprehu mirënjohjen e tij për çka ajo po bën. Ai theksoi se përgjigja e komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë “globale dhe kolektive”.

Top Channel