Pa filluar ende mirë, gjyqi ndaj Agimit të Artë, i konsideruar edhe si gjyqi i shekullit në Greqi, është ndërprerë për të rifilluar më 7 Maj, pasi disa prej të akuzuarve nuk kishin avokatë mbrojtës.

Procesi ka filluar mëngjesin e së hënës nën masa të rrepta sigurie, në një sallë të përmasave të vogla, që nuk dihet nëse mund të përballojë një procedurë të tillë, të ndërtuar enkas brenda burgut të Koridalosë në Athinë, ndërsa jashtë tij atmosfera ka qenë e elektrizuar.

Nga njëra anë banorët, që kundërshtonin se pranë ndërtesës ka shumë shkolla dhe rrezikohen fëmijët nga incidente të mundshme, nga ana tjetër protestues antifashistë, por edhe përkrahës të Agimit të Artë, që janë tubuar në një distancë të afërt.

69 persona, midis tyre edhe grupi i mëparshëm parlamentar i kësaj partie, janë thirrur para Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila do të përcaktojë përfundimisht nëse Agimi i Artë është një konstrukt nazist me veprimtari të organizuar të paligjshme. Ky vendim mund t’u hapë rrugë zhvillimeve politike, nëse partia shpallet e paligjshme.

Dosja hetimore prej 700 faqesh përmbledh veprimtarinë e kësaj organizate dhe provat ndaj saj, të cilat janë shtuar sidomos pas vitit 2012, kur AA hyri për herë të parë në Parlament. Në bazë të aktakuzës nga zv.prokurori i Gjykates Supreme, AA konsiderohet organizatë aktive kriminale e tipit nazist, që vepron prej vitit 1987 deri më sot me strukturë ushtarake, hierarki dhe degë në të gjithë vendin, e udhëhequr nga një lidership që ruan standardet hitleriane.

Veprimtaria e kësaj force u vu në fokusin e organeve greke të drejtësisë, pas vrasjes së muzikantit antifashist Pavlos Fissas, nga një neonazist në Shtator të 2013-s, çështja e parë me të cilën ka filluar gjyqi.

Në vazhdim do të gjykohen një seri sulmesh nga neonazistët në të gjithë Greqinë, midis tyre edhe vrasja e një emigranti nga Pakistani, apo disa tentativa vrasjeje e sulmesh ndaj emigrantëve të tjerë gjatë viteve 2012-2013.

Pas fillimit të hetimeve, shumë prej anëtarëve, madje dhe liderët e kësaj force u arrestuan dhe qëndruan në burg për 18 muaj, por u liruan para disa ditësh, pasi skadoi afati i paraburgimit. Lideri Nikos Mihaloliakos dhe ndihmësit e tij – grupi drejtues i AA, siç thuhet në dosje – akuzohen për veprimtari dhe drejtimin e një organizate kriminale.

Disa prej deputetëve aktualë dhe të mëparshëm, të cilët ulen në bankën e të akuzuarve ballafaqohen edhe me kategoritë e tjera të veprave penale, që lidhen kryesisht me armëmbajtje pa leje. Procesi gjyqësor, në të cilin marrin pjesë mbi 100 avokatë dhe 130 dëshmitarë dhe që pritet të zgjasë një vit, ndiqet me vëmendje të veçantë edhe nga mediet e huaja.

Top Channel