PR, kritika mazhorancës dhe PD-së

20/04/2015 00:00

Republikanët mblodhën Asamblenë Kombëtare nga ku Fatmir Mediu akuzoi ashpër koalicionin qeverisës se është duke e çuar vendin drejt një tiranie të butë, prandaj, theksoi ai, detyra e opozitës është ta kthejë vendin në rendin kushtetues.

Shqipëria, tha Mediu, po shkon drejt pasigurive të paprecedenta dhe se, qeveria është duke e kontrolluar jetën e qytetarëve nëpërmjet frikës dhe varfërisë. Duke u ndalur në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, zoti Mediu nuk i kurseu pakënaqësitë ndaj PD-së, kur tha se në këtë force politike, korrektësia e republikanëve shihet si dobësi. 

Mediu u shpreh gjithashtu i pakënaqur me përzgjedhjen e kandidatëve të opozitës, kur tha se përzgjedhja duhej bërë në bazë dhe jo në Tiranë: “Duke besuar se Partia Demokratike ka bërë zgjedhjen e duhur në Durrës dhe në bashkitë e tjera, ne do të angazhohemi maksimalisht për të mundësuar fitoren tonë të përbashkët. Partia Demokratike, ndërkohë, ka një detyrim përballë Partisë Republikane: të plotësojë detyrimet e marrëveshjes që kemi para regjistrimit të kandidatëve në çdo bashki. Në këtë mënyrë shmanget çdo vendim i njëanshëm”.
 
Fatmir Mediu, përsa i përket Durrësit, tha se tashmë kjo është një histori e tejkaluar, por nuk u luajt ndershëm. Duke e quajtur Agron Dukën si një vlerë të shtuar për Partinë Republikane, Fatmir Mediu e propozoi si kryetar të Asamblesë. Vetë Duka, pretendent deri në minutën e fundit për të garuar në Durrës për opozitën, bëri këtë koment për kandidaten Grida Duma: “I plotëson parametrat që na siguron fitoren dhe prandaj i ftoj të gjithë mbështetësit e mi të mbështesin kandidaturën e zonjës Duma”.

Kur zoti Duka sapo mbaroi fjalën, nuk mungoi një batutë për Grida Dumën nga njëri prej antarëve të Asamblesë, i cili sugjeroi se “zonja Duma është shumë nevrike dhe duhet të qeshë më shumë”.

Top Channel