Lufta kundër ISIS, Australia dhe Irani do të shkëmbejnë informacione

20/04/2015 00:00

Australia dhe Irani kanë rënë dakord të ndajnë informacione të
kundërzbulimit mbi australianët që luftojnë në krah të grupeve militante
në Irak.

Sipas pohimeve të ministres së Jashtme australiane, Julie Bishop, marrëveshja do të ndihmojë përpjekjet e të dy vendeve për frenimin e shtetit islamik. Pakti i lejon Australisë qasje në informacionet e grumbulluara nga operativët iranianë në Irak.
 
Pohimet  e saj, Bishop i bëri pas takimit me Presidentin Hassan Rouhani gjatë një vizite në Republiken Islamike. Australia ka nisur që në vitin 2014 ta konsiderojë si të mundshme idenë e ndarjes së informacioneve me Iranin. Çështja u bë edhe më e ngutshme pas rrethimit 17 orësh në muajin dhjetor, kur refugjati iranian Man Haron Monis mori peng 18 persona në një kafene të Sidneit.

“Ishte një marrëveshje informale, sipas të cilës, ne do të ndajmë informacione dhe do të marrim të dhëna të vyera mbi australianët e përfshirë. Besoj se Irani disponon informacionet që na duhen neve dhe janë mëse të gatsheëm të na i ofrojnë”, tha Julie Bishop.

Rreth 100 australianë mendohet të kenë udhëtuar drejt Irakut dhe Sirisë për të luftuar në krah të militantëve të ISIS-it dhe autoritetet paralajmërojnë se këta njerëz përbëjnë rrezik të madh edhe për sigurinë brenda kufijve.

Lajmi vjen një ditë pasi shteti islamik publikoi një tjetër video tmerri, ku pretendohet ekzekutimi i gati 30 të krishterëve etiopianë. Pamjet filmike tregojnë një grup njerëzish, të cilëve u pritet koka në breg të detit dhe disa të tjerë, të cilët qëllohen me armë zjarri në kokë, në një shkretëtirë. Ashtu si dhe një video e ngjashme ekzekutimi me prerje koke e 21 të krishterëve kopte në muajin shkurt, edhe kjo thuhet të jetë realizuar në Libi, çka shton frikën se prania e ekstremistëve në këtë vend po forcohet, duke rrezikuar destabilizimin e mëtejshëm të tij.

Top Channel