Fushatë me metaforat e luftës

20/04/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Raporti zhgënjyes i komisionerëve të PE-së për politikën shqiptare nuk është ndonjë gjë e re për ne.

Atë që konstatojnë të huajt në sjelljen politike shqiptare, ne e jetojmë çdo ditë dhe jemi familjarizuar aq shumë me të sa na është bërë mënyrë sjelljeje. Ajo që ne nuk arrijmë të bëjmë në gjithë këta vjet nuk është thjesht përmirësimi i klimës politike, por shumë më tepër se kaq, ne nuk po arrijmë të ndërtojmë institucionin e rrëfimit demokratik. Ne i trembim të huajt kur vijnë këtu jo me atë që ndodh në Shqipëri, por me atë që ata dëgjojnë, pra ne i trembim jo me veprimet që kryejmë, por me fjalët që prodhojmë, me ligjërimin tonë. Po çfarë ndodh me të vërtetë në këtë rast? Që nga Aristoteli e deri te filozofët e sotëm të ligjërimit, problemi që shtrohet është ky: në ç’mënyrë e rrëfejnë njerëzit atë që bëjnë? Pra njeriu prodhon veprime, bën luftëra, ndërton, dashuron, falet në kishë apo xhami, bën muzikë, vdes. Veprimet që kryen njeriu janë pafund. Pastaj, për shkak se jeta rrjedh, gjithçka që ai bën depozitohet në memorie, bëhet histori dhe rrëfehet. Mirëpo kur rrëfejmë, çfarë ndodh? Ne rrëfejmë atë që ndodh apo diçka tjetër? Një nga filozofët e mëdhenj të ligjërimit, Paul Riceour, i ka kushtuar një studim të thellë në tri vëllime këtij problemi me veprën e famshme “Koha dhe rrëfimi” dhe ka analizuar sidomos dy llojet e rrëfimit, përkatësisht rrëfimin historik dhe rrëfimin trillues (fiction). Aty mund të gjesh të gjitha problemet që paraqet kjo çështje e madhe. Po përmend vetëm që në rrëfimin politik, në të cilin marrin pjesë politikanët, opinioni publik, përmes sondazheve dhe media përmes analizave e komenteve, në përgjithësi nuk rrëfehet ajo që ndodh, por tregohet dëshira e asaj që duhet të ndodhë. Në përgjithësi, këto rrëfime janë të hapura më shumë drejt së ardhmes sesa rrëfejnë të shkuarën. Le ta ilustrojmë me një shembull. Hilari Klinton ka shpallur kandidaturën për presidente në SHBA dhe analistët i përmendin asaj se ajo duhet të tregojë se çfarë do të bëjë me shtresat e mesme dhe sidomos çfarë do t’i shtojë ajo veprimit të saj politik, sepse, në këta njëzet e ca vjet, ajo ka qenë protagoniste. Pra, opinioni i kërkon se përse ajo do të bëhet presidente? Natyrisht, beteja elektorale nuk ka filluar dhe gjatë asaj fushate ne do të kemi rast të shohim një manifestim brilant të demokracisë siç ndodh zakonisht në atë vend të madh. Pra, publiku e sheh politikën dhe procesin e zgjedhjeve si një mundësi për të deleguar pushtetin e tij në mënyrë që të përmirësojë të ardhmen. Po këtu te ne çfarë po ndodh?

***

Fushata ka filluar dhe që në krye të herës, ajo nuk është konceptuar apo nuk ndihet si një mundësi që zgjedhësit të delegojnë dëshirat dhe vullnetin e tyre te kandidati më i mirë. Në vende të pazhvilluara dhe të prapambetura politikisht si këtu te ne, politikanët apo elita ekzekutive në përgjithësi, deputetët, gjyqtarët dhe presidenti, nuk e ndiejnë veten përfaqësues të të zgjedhurve të tyre, pra nuk e ndiejnë veten të deleguar të popullit, por si të zgjedhur nga kapoja i grupit dhe qëllimi i tyre nuk është të përmbushin interesat publike, por të luftojnë për të përmbushur interesat e kapos dhe të grupit politik. Nëse e vëzhgon me kujdes procesin që ka nisur këtu te ne, do të zbulosh se e gjithë vëmendja politike, por edhe ajo e një pjese të opinionistëve është përqendruar te vlerat etike abstrakte që kanë më shumë frymëzimin komunist për njeriun e ri. Gjithë këto kohë po përmendet nga mëngjesi në mbrëmje se sa burrë i mirë është Halim Kosova dhe se sa djalë i hedhur qenka Erjon Veliaj. Forcat politike në këtë vend dhe sidomos PD-ja, nuk na kanë shfaqur ende asnjë platformë të qëndrueshme politike për të ardhmen. Në një vend normal, debati politik apo rrëfimi zgjedhor do të duhej të përqendrohej në dy çështje të mëdha, sipas meje, në ndikimin që do të ketë ndarja e re territoriale dhe në fuqinë reale që do të kenë njësitë vendore. Sot askush nuk e di se çfarë pushteti real ka një kryetar bashkie apo një kryetar komune.

Ligjërimi politik që sapo ka nisur, nuk ka ndërmend të sqarojë zgjedhësit se çfarë mundësish kanë ata dhe se çfarë do të përfitojnë nëse do të zgjedhin njërin apo tjetrin kandidat. Deri tani ata po thirren që të votojnë në mënyrë që të zgjedhin, fjala vjen, Grida Dumën në Durrës, sepse është e bukur, Halimin në Tiranë, se është burrë i mirë dhe pasanik. Lulzim Basha për fat të keq, po e ndërton ligjërimin e tij politik vetëm nën modelin e pretencave që bëjnë prokurorët. Kudo që shkon ai lexon një pretencë për dyshen Rama – Meta dhe askush nuk e merr vesh se përse duhet ta besojnë atë. Dhe vijmë kështu tek argumenti i fillimit, te rrëfimi historik. Rrëfimet që bëjnë politikanët nuk përputhen me atë që ka ndodhur. Në qoftë se Lulzim Basha dhe babai i tij shpirtëror, Sali Berisha, na rrëfejnë nga mëngjesi në darkë krimet e dyshes Rama – Meta, ata nuk na tregojnë atë që ka ndodhur në të vërtetë, por na rrëfejnë botën imagjinare që kanë ndërtuar, për shkak të pozicionit të tyre si kundërshtarë politikë. Në këtë kuptim, historia që ata tregojnë është një fiksion që ndërtohet jo duke u mbështetur mbi dokumente apo arkiva, por mbi imagjinatën krijuese politike, mbi asociacionin e jashtëm të sendeve. Rrëfimi imagjinativ dhe fiksional i opozitës sidomos mbështetet mbi parimin dhe qëllimin e asgjësimit të kundërshtarit përmes denigrimit ose asaj që Umberto Eko e quan gazetaria e baltës. Ndaj vendi ynë i tmerron të huajt jo me veprimet që ndodhin këtu, por me romanin halucinant që lexohet me zë të lartë nga politikanët shqiptarë dhe që përbëhet nga skena horror e makabre. Prandaj të huajt e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodh realisht në këtë vend, sepse ajo që ata shohin e dëgjojnë nuk është bota reale e historisë, por është bota irreale e ligjërimit trillues politik.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel