Mesdheu, rruga më e madhe e vdekjes

20/04/2015 00:00

400 të vdekur një javë më parë, me qindra të tjerë mbrëmjen e së premtes. Bilanci i jetëve të humbura në ujërat e Mesdheut brenda pak ditësh është tepër i rëndë për t’u bërë sërish njëri sy qorr.

Ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të Bashkimit Europian sot mblidhen në Bruksel për të diskutuar dramën që tashmë konsumohet përpara portave të Europës thuajse çdo ditë. Disa prej shteteve jugore pretendojnë se në lojë është vetë besueshmëria e bllokut që vitin e kaluar vendosi tkurrjen e përpjekjeve të kërkim-shpëtimit. Sipas OKB-së, rruga detare mes Afrikës së Veriut dhe Italisë është aktualisht më vdekjeprurësja në botë.

Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme e BE-së, u shpreh: “Pas asaj që ndodhi në Mesdhe, ndiej se është detyra jonë morale të përqendrohemi tek përgjegjësia si europianë për të ndërhyrë që këto tragjedi të mos përsëriten sërish e sërish. Vetëm përpara një muaji e rivura emigracionin pas 10 vjetësh në axhendën e ministrave të Jashtëm. Në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje, me ne sot bashkojnë forcat edhe ministrat e Brendshëm. Një vendim mbi këtë çështje mund të merret edhe në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Europian, e cila do të mbahet më vonë gjatë javës”.
 
Nga 700 emigrantët në bordin e anijes 20 metra të gjatë të fundosur këtë fundjavë, 900 sipas disa dëshmive, u arrit të shpëtoheshin vetëm 28 vetë. Mogherini e bëri të qartë se nuk ka zgjidhje të lehta e as të shpejta. Por, Mesdheu është deti ynë dhe duhet të veprojmë të gjithë së bashku si europianë, sqaroi ajo, duke e theksuar se është dhe në interesin e bllokut që ky ngërç të marrë fund.

Të dielën, kryeministri italian Matteo Renzi deklaroi gjatë një samiti urgjent të BE-së se trafikimi është një “murtajë për kontinentin e vjetër” e shtoi se mungesa e solidaritetit europian është vërtet për të ardhur keq. Ndërsa, për kreun e ekzekutivit të Maltës, një tjetër vend i prekur nga ky fenomen, çelësi i zgjidhjes së krizës është Libia.

“Kemi në dyert tona atë që po kthehet në një shtet të dështuar”, u shpreh Joseph Muscat.

“Duhet t’i bashkojmë fraksionet libiane në mënyrë që të krijojë një lloj qeverie të unitetit kombëtar, e cila të ndihmojë në stabilizimin e vendit”, ishte këshilla e tij.

Top Channel