Veliaj: Javën tjetër dorëhiqem si ministër, i kushtohem fushatës

20/04/2015 00:00

Kandidati i mazhorancës për kryetar bashkie në Tiranë, Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës tha se javën e ardhshme do të japë zyrtarisht dorëheqjen si ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, për të nisur zyrtarisht fushatën për kryetar të bashkisë së kryeqytetit.

“Duke qenë se mbledhja tjetër do jetë me një ministër të ri, do të doja të kishim në rregull punën në Këshillin Kombëtar, derisa të merret stafeta aty ku është lënë. Dhe kështu do të bëj deri javën tjetër kur do paraqes dorëheqjen, për t’u siguruar që puna e nisur të ketë përfunduar dhe që puna të jetë gati për kolegun pasardhës”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se ministria që ai ka drejtuar gjatë këtyre 2 viteve ka arritur të kryejë reforma thelbësore, të cilat kanë patur një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve.

“Pavarësisht dallimeve që kemi për të mbrojtur interesat e biznesit apo të sindikatave, ne arritëm të ndërtonim një formulë në këtë ekip, duke prodhuar produkte ku kishte të fituar dhe jo të humbur, ku kishte formula të tipit ‘win win’”, tha Veliaj.

Biznesi por edhe sindikalistët kanë vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Mirëqënies Sociale në disa sektorë të rëndësishëm, si punësimi apo reforma e pensioneve.

“Erjoni futi në këtë mbledhje metodën e raportimit dhe të përgjegjësisë së institucioneve ndaj problemeve që ngre biznesi. Futi një koncept të ri në zyrat e punës. Ne patëm vjet 40 mijë vende pune të reja”, deklaroi kryetari i Business Albania, Luan Bregasi.

Top Channel