Shëndetësia, apel për vaksinimin e fëmijëve

20/04/2015 00:00

Në javën europiane të vaksinimit, specialistë të Shëndetit Publik u bëjnë thirrje prindërve të jenë të kujdesshëm për të respektuar të gjithë protokollin e vaksinimit te fëmijët e tyre.

Në vendin tonë ka prindër, të cilët refuzojnë të bëjnë vaksinën e fruth-rubeolës, ose ta shtyjnë atë në kohë, duke e lidhur me shkaqet e autizmit, që sipas specialistëve është hedhur poshtë shkencërisht.

“Dua të theksoj që prindërit nuk është se nuk e bëjnë vaksinën, por e shtyjnë mbi kohën e përcaktuar nga programi kombëtar i vaksinimit. Mendoj se ky është një koncept i gabuar, për faktin se vaksinimi ndaj fruthit nuk shkakton autizëm. Nuk e themi ne këtë gjë, por prej disa vitesh në bazë të studimeve, në bazë të raportit të fundit të Institutit të Mjekësisë, Akademisë së Shkencave Mjekësore amerikane, nuk ka asnjë lidhje midis autizmit dhe vaksinës së fruthit”, tha Silva Bino, eksperte e sëmundjeve infektive.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theksoi se kjo javë duhet të shërbejë për ndërgjegjësimin e popullatës, sidomos për 3% të saj, e cila në vendin tonë kosiderohet e pambuluar.

“Vaksinimi është e drejtë themelore e fëmijëve. Institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor kanë detyrimin t’ua ofrojnë dhe të krijojnë kushte që ky shërbim të ofrohet kudo, të jetë i sigurt, pavarësisht kushteve social-ekonomike të familjeve apo vendbanimit. Në vendin tonë kjo mbulesë është mbi 97%, për çdo vaksinë të kalendarit kombëtar, për çdo komunitet, anekënd territorit të vendit”, tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë.

Përfaqësuesja e OBSH në Tiranë, Ledia Lazri tha se në vendet perëndimore rreth 650 mijë fëmijë në vit nuk mbulohen nga programet e vaksinimit, ndaj ndërgjegjësimi i popullatës ka rol të rëndësishëm.

“Edhe për të evituar që opinioni publik të bjerë prè e grupeve apo publikimeve antivaksinim, java europiane e vaksinimit synon të mbajë lart angazhimin politik për imunizimin, si një faktor kyç në parandalimin e rishfaqjes së sëmundjeve tepër ngjitëse, që shkaktojnë komplikacione deri në vdekje, dhe që provokojnë një barrë të rëndë mbi kujdesin shëndetësor dhe mbi prindërit në përgjithësi”, tha Ledia Lazri, përfaqësuese e OBSH në Tiranë.

Fëmijët e rrugës apo ata të komunitetit rom në vendin tonë, ndonëse nuk kanë kryer të gjithë protokollin e vaksinimit, nuk janë fare të pavaksinuar, ndërkohë që po punohet që edhe ata të plotësojnë numrin e vaksinave, që bëjnë bashkëmoshatarët e tyre. Niveli i lartë i vaksinimit në vendin tonë ka çuar në zero numrin e rasteve për disa sëmundje ngjitëse, të cilat qarkullojnë në Europë.

Top Channel