Gjykata Administrative, magazinë dosjesh. KLD, rekomandime Ministrisë së Drejtësisë

20/04/2015 00:00

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të emërojë sa më shpejt ndihmësit ligjorë, në mënyrë që të përballohet fluksi i dosjeve në Gjykatën Administrative.

Nëpërmjet këtij studimi, KLD propozon që të shikohet ligji i Gjykatës Administrative, për të futur mekanizma stimulues, në mënyrë që gjyqtarët të mos synojnë vetëm kryeqytetin, por edhe qarqet e tjera, duke qenë se në 4 Gjykata Administrative ka vende vakante.

Megjithëse Gjykatat Administrative u ngritën pikërisht për shqetësimin e zvarritjes së proceseve dhe për t’i dhënë zgjidhje qytetarit brenda 90 ditëve, KLD vëren se edhe kjo gjykatë nuk u ka shpëtuar zvarritjeve.

Në total, thotë studimi i KLD për vitin 2014 janë regjistruar në këto 7 gjykata mbi 55 mijë çështje, ku kryeson Gjykata Administrative e Tiranës, për t’u ndjekur nga Durrësi e Shkodra. KLD evidenton se është konstatuar vonesë përtej afatit të 30 ditëve në arsyetimin e vendimeve, problem që vjen nga fluksi i dosjeve dhe nga mungesa e ndihmësve ligjorë.

Janë emëruar vetëm dy kryetarë gjykatash, nga 7 që janë – thuhet më tej, – e të tjerët janë të deleguar. Kjo situatë duhet të zgjidhet për të ndikuar në efektivitet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë rekomandon shtimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit Administrativ, gjykata me fluksin më të madh në vend, që prej ngritjes së Gjykatave Administrative.

Por, rekomandimi më interesant, që mesa duket e vë theksin te ndryshimet ligjore, ka lidhje me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatat në Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe Shkodër. Pavarësisht se është hapur konkursi për këto gjykata, gjyqtarët kanë preferuar të qëndrojnë në pritje dhe të mos emërohen jashtë Tiranës.

KLD, nga ana e saj, shprehet se ky rekomandim është i vështirë për t’u zbatuar, pasi kërkohen ndërhyrje ligjore për të përfshirë elementë nxitës, në mënyrë që gjyqtarët të pranojnë emërimet edhe në qarqet e tjera.

Top Channel