Bujqësia, sistemi vaditës e kullues i kalon pushtetit vendor

20/04/2015 00:00

Qeveria do t’i kalojë pushtetit vendor kompetencën për të administruar sistemin vaditës dhe kullues në vend, i cili sipas ekzekutivit vazhdon të mbetet në gjendje kritike për shkak të mungesës së investimeve dhe keqadministrimit.

“Do të kalojmë përgjegjësinë e ujitjes dhe kullimit tek 61 njësitë vendore dhe do të jenë krerët e rinj të bashkive që do të përgjigjen direkt ndaj çdo qytetari që punon në zonën e fshatit dhe që shfrytëzon tokën bujqësore”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Për të rritur kontrollin dhe frenuar abuzimin, njësive të pushtetit vendor do t’u vihet në dispozicion një instrument i prezantuar nga Ministria e Bujqësisë, që përmes sistemit GPS monitoron në kohë reale të gjithë punën e kryer në terren.

“Në këtë mënyrë do të monitorohet gjithçka në kohë reale, duke filluar që nga pozicionimi i makinerive, vëllimi i punës, nëse ato kanë punuar ose jo në një kohë të caktuar, norma e konsumit të karburantit, etj”, deklaroi ministri Edmond Panariti.

Qeveria synon që në 2 vite e gjysmë reformimi i sektorit të përmirësojë sistemin e ujitjes për 100 mijë familje fermere, që siç u shpreh kryeministri Rama, prej më shumë se 20 vitesh janë në pamundësi të plotë për të ujitur tokën e tyre.

Ndërsa përmirësimi sasior dhe cilësor i kullimit në 270 mijë hektarë tokë sipas shefit të qeverisë, do të shmangë përmbytjen e tokave bujqësore.

Top Channel