Festivali Folklorik i Gjirokastrës

20/04/2015 00:00

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u takua me përfaqësues të qeverisjes vendore në Gjirokastër, si vendi organizator i Festivalit Folklorik Kombëtar, për të parë nga afër përgatitjet e këtij festivali.

Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro deklaroi se, qëllimi kryesor i organizimit të këtij festivali është trashëgimia e traditave të tij te të rinjtë, për t’u ruajtur si një vlerë e jashtëzakonshme.

Më tej, ajo shtoi se gjatë këtij festivali 5-ditor, i cili do të startojë më 10 Maj do të ketë sjellje të trashëgimisë.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një spektakël 5-ditor, por bëhet fjalë për një monument kulture, të trashëgimisë jomateriale me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, madje do të thoja mbarëkombëtare. Ashtu sikurse një kala, një kështjellë, një muze, janë monumente të trashëgimisë materiale, Festivali Folklorik i Gjirokastrës është monumenti e trashëgimisë jomateriale, që për shqiptarët, Shqipërinë dhe Ministrinë e Kulturës, pa dallime ngjyrash partiake, por për të gjitha qeveritë ka qenë dhe mbetet një institucion shumë i rëndësishëm”, tha ministrja Mirela Kumbaro.

“Gjirokastra, gjatë gjithë ditëve që do të mbahet ky festival, do të arrijë të tregojë vlerat e tij si qytet, sikundër karakterizohet, dhe njëkohësisht këto vlera do të ndërthuren edhe me folkun e të gjitha trevave. Sigurisht që jemi të gjithë të sigurt dhe të angazhuar, në mënyrë që kjo festë kaq e madhe të arrijë të japë sa më shumë dritë, ngjyra e gjallëri Gjirokastrës sonë”, tha Zamira Rami, Prefekte e Qarkut.

Në festival do të përfaqësohen trupat folklorike nga gjithë vendi, por edhe nga shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e vende të tjera.

Top Channel