Kerry pret Bushatin, nënshkruhet Marrëveshja e Partneritetit Strategjik

20/04/2015 00:00

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati u prit ne Washington DC nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, si kulmim i vizitës së shefit të diplomacisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin që bëhet plotë 5 vjet pas një takimi të nivelit të tillë, u arrit të nënshkruhet për herë të parë “Deklarata e Përbashkët e Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA”.

Kjo e çon marrëdhënien Shqipëri-SHBA në një tjetër nivel, falë edhe garancisë që Sekretari Kerry dha se SHBA-të do të mbeten një partner dhe aleat i fortë i Shqipërisë. Këtë mbështetje të Washington-it, Shqipëria e ka siguruar mbi të gjitha si një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale, si një aleate e fortë dhe e vërtetë në NATO dhe si një forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, siç do të thoshte në takimin me Bushatin dhe në deklaratën për mediat te John Kerry.

“Është kënaqësia ime të mirëpresë ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, veçanërisht sepse Shqipëria është para së gjithash një vend mik i ngushtë dhe aleat në NATO. Përtej kësaj, Shqipëria vërtetë ka qenë shumë e angazhuar në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë në një sërë frontesh të ndryshme. Dhe sot, patëm kënaqësinë të nënshkruajmë partneritetin strategjik SHBA-Shqipëri ose Shqipëri-SHBA, që është përpjekje për të shtuar bashkëpunimin tonë për interesat tona të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, për sigurinë në rajon kundër ISIS dhe në të tjera iniciativa. Ne e mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ata janë në rrugën për të bërë gjërat e nevojshme për këtë anëtarësim. Ne jemi gjithashtu të kënaqur që Shqipëria ka rënë dakord të bëhet mikpritëse e takimit Ministerial për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo ka rëndësi për të gjithë, duke pasur parasysh njoftimet lidhur me aktet në të cilat është angazhuar ISIS. Ne po punojmë gjithashtu në përpjekjet e përgjithshme rajonale lidhur me luftën kundër ISIS dhe bashkëpunimi i Shqipërisë si anëtare e koalicionit ka qenë absolutisht i rëndësishëm. Pra Ditmir, jam i lumtur që të kem ty këtu sot. Faleminderit shumë që ishe me ne sot, e vlerësojmë këtë”, tha Kerry.

“Ju faleminderit zoti Sekretar. Jam shumë i lumtur të jem këtu sot me ju. Shqipëria dhe SHBA-ja janë partnere strategjike, janë bashkë anëtare të NATO-s të organizatave ndërkombëtare. Ne jemi duke punuar ngushtësisht së bashku në Irak, Afganistan dhe së fundmi më së shumti në luftën kundër terrorizmit global dhe ekstremizmit të dhunshëm. Nëse rajoni jonë është sot në paqe dhe duke punuar për të qenë anëtarë të BE, kjo është kryesisht për shkak të angazhimit të vazhdueshëm të Shteteve te Bashkuara. Ndaj jam këtu sot me Sekretarin Kerry për të diskutuar rreth mënyrave se si të përmirësojmë më tej bashkëpunimin strategjik, në sektorët strategjikë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Bushati.

Firmën mbi “Deklaratën e Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA” e hodhën Ditmir Bushati dhe Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland.

Dokumenti përbën bazën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit strategjik mes Tiranës dhe Washington-it në tre plane: atë dypalësh, rajonal dhe global. Por në planin politik dhe gjeopolitik, pritja e Bushatit nga Kerry dhe dokumenti i nënshkruar, përbëjnë një moment mjaft të rëndësishëm për vendin tonë, ndërsa Nuland e cilëson edhe më shumë sesa kaq:

“Sot është një ditë historike për marrëdhëniet tona dhe me nënshkrimin e këtij dokumenti do të mundësojmë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorët strategjikë. SHBA-ja mbështet fuqimisht Shqipërinë në rrugën e reformave të shtet-ndërtimit demokratik dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Kemi përballuar së bashku sfida të mëdha dhe kemi dëshmuar që miku i mirë të gjendet në krah në ditë të vështirë”, deklaroi Nulan.

“Falë mbështetjes amerikane, Shqipëria ka mundur të luajë një rol dinamik dhe konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Tashmë do të thellojmë bashkëpunimin tonë në sektorët strategjikë e nëpërmjet nënshkrimit sot të këtij dokumenti, ne po i çojmë marrëdhëniet tona në një nivel tjetër”, shtoi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Top Channel