Maqedoni, shpërthejnë pakënaqësitë në BDI. Dorëhiqet zv.ministri i Mbrojtjes

20/04/2015 00:00

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Maqedoni, Arben Labenishti dorëzoi këtë të hënë dorëheqjen e tij në Kuvend. Paraprakisht, ai ka bërë të ditur se lë postin e tij dhe tërhiqet nga funksionet partiake në BDI, për shkak të pakënaqësisë nga politikat e këtij subjekti.

“Dorëzova aktin e dorëheqjes si zëvendësministër i Mbrojtjes. Arsyetimet për vendimin tim i kam bërë të gjitha publike”, tha Arben Labenishti.

Në një letër të publikuar në Facebook, ku ka dhënë arsyet e dorëheqjes, Arben Labenishti shkruan se në BDI, për disa vite me radhë është përballur me servilë dhe tradhtarë, që u përpoqën ta shkatërrojnë substancën e shëndoshë të partisë, të poshtërojnë vlerat kombëtare dhe të minojnë implementimin e “Marrëveshjes së Ohrit”.

Pas Labenishtit, të pakënaqur nga mënyra e funksionimit të BDI-së, për shkak të mungesës së demokracisë brenda saj, dorëheqjen nga postet partiake kanë ofruar edhe Sekretari organizativ Hazbi Lika, si dhe nënkryetari i Degës partiake në Haraçinë, Shefik Duraki.

Analistët thonë se, dorëheqjet e funksionarëve të BDI-së janë rezultat i pozitës së pafavorshme të kësaj partie në Qeverinë e Gruevskit.

“Dorëheqjet në BDI vijnë si rezultat i akumulimit të pakënaqësive të shumta brenda partisë. Me këto dorëheqje shihet se, edhe vetë funksionarët e BDI-së e kanë kuptuar pozitën inferiore, që ka pasur kjo parti në Qeveri dhe besoj se, në të ardhmen do të ketë edhe dorëheqje të tjera”, tha Anila Limani, gazetare.

Ndërkohë, udhëheqësi i BDI-së Ali Ahmeti, duke komentuar dorëheqjet brenda radhëve të partisë së tij, ka thënë se të gjitha pakënaqësitë duhet të zgjidhen brenda organeve partiake.

“Nuk them që nuk ka dobësi, por ejani t’i luftojmë dhe të punojmë bashkë, jo duke u futur nëpër skuta, sepse bashkë mundemi t’i çojmë misionet përpara, vet askush nuk mundet”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Pakënaqësitë brenda BDI-së dolën në sipërfaqe në Kongresin e fundit partiak, ku funksionarët e BDI-së shprehën në mënyrë të hapur kritika të ndryshme për situatën brenda partisë.

Top Channel