“Kasaphanë” në Champions League, sa shumë mungesa në çerekfinale

20/04/2015 00:00

Shkruhet “Champions League”, lexohet “kasaphanë”. Kështu mund të konsiderohet kompeticioni më i madh sportiv për klube në Europë, ku më së fundi problemet me bajamet kanë tronditur pozitat e Arturo Vidal, për të qenë i pranishëm në ndeshjen e kthimit Monaco-Juventus.

Kiliani është “i fundit i mohikanëve” në vazhdën e kapitullit të dëmtimeve të pafata, që pak nga pak po privojnë tifozët e shumë yjeve të futbollit në thuajse gjysmën e Europës. Nëse Allegri do të mund të jetë i detyruar të mos llogarisë shërbimet e kilianit dhe francezit Pogba, edhe Ancelotti duket se do ta ketë të vështirë pas humbjes së Modriç dhe Bale, në prag të derbit me Atleticon e Simeones.

Një skuadër e reduktuar edhe për Guardiolën, teksa Bayern Munchen do të duhet të përmbysë humbjen befasuese dhe tronditëse të një jave më parë në Portugali, 3-1 nga Porto.

Për të kuptuar shkallën e sakrificave të shumë trajnerëve, ekipet e të cilëve janë ende në luftë për kupën me “veshë të mëdhenj”, do të mjaftonte të krijonim një formacion hipotetik me lojtarët që do të mungojnë në çerekfinalet e kthimit. Do të krijohej padiskutim një ekip totalisht në gjendje për t’u shpallur kampione e Europës. Për fat të keq, ndeshjet do të duhet t’i ndjekin nga televizori lojtarë në dyshim si Vidal, Benzema dhe Jackson Martinez, por edhe ata që janë dëmtuar dhe duan një kohë të gjatë rikuperimi.

Në momentin më deciziv të sezonit, apo atë ku shumë ekipe luajnë për “gjithçka ose asgjë”, Allegri do të ketë thuajse të sigurt mungesën e Pogbasë, e me shumë mundësi edhe të Vidalit.

Guardiola, nga ana e tij, duket më i prekuri. Edhe në konferencën për shtyp, ai theksoi nevojën për një përmbysje heroike, por… Ribery nuk do të luajë, ashtu sikurse Schëeinsteiger që mbetet në dyshim, duke parë se ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore. Nëse Lahm do të rikuperohej, Javi Martinez, Robben dhe Alaba nuk do të zbresin në fushë ndaj Portos.

Luzitanët, nga ana e tyre, janë në ankth për kushtet e Jackson Martinez.

Edhe pse Simeone, trajneri argjentinas i Atletico Madrid, mund të qëndrojë i qetë, shumë shqetësime ka për Carlo Ancelottin pas dëmtimeve të Modriç dhe Bale. E nëse këta të dy e kanë të sigurt mungesën, shpresa e vetme e Carlettos është të ketë në dispozicion të paktën Benzemanë, i cili nuk u grumbullua fare për sfidën ndaj Malagës në kampionat.

Sa i përket ndeshjes Barcelona-PSG, Blanc do të duhet të zbresë në fushë pa Thiago Mottan, ndërsa që do t’i rikthehen Ibrahimovich dhe Verratti, pas mungesës së rëndësishme në takimin e Parisit, të humbur 1-3 me katalanasit. Dhe ky është i vetmi lajm pozitiv në një ambient europian sportiv të tronditur prej dëmtimeve…

Top Channel