Inter, Podolski: Rikthehem tek Arsenali dhe luaj atje

20/04/2015 00:00

Lukas Podolski erdhi në Milano, te zikaltrit e Interit, në formë huazimi me të drejtë blerjeje, por pas 11 ndeshjeve krejtësisht në hije gjatë kampionatit dhe asnjë një goli të shënuar, ishte thuajse e qartë që Thohir nuk do ta mbante. Ndaj, duket se i është dhënë lamtumira.

Sinjali i qartë duket se i është dhënë në sfidën ndaj Parmës, kur Mancini, duke pasur Icardin të skualifikuar, e kishte përjashtuar gjermanin nga formacioni titullar, duke preferuar Puscas, sulmues nga akademia. Ashtu sikurse dhe në derbin e së dielës…

Megjithatë, ai që e shpall “ndarjen” është vetë lojtari gjerman. “Kur të kthehem në Londër besoj se do të kem mundësi të aktivizohem”, ka thënë sulmuesi i Gjermanisë për “Daily Mail”. Pra, sipas tij, në fund të sezonit do të jetë sërish i Arsenalit.

Podolski ka shënuar vetëm një gol që prej ditës së transferimit, por edhe atë me fanelën e kombëtares gjermane. Më herët, prej Gushtit deri në Dhjetor, kishte shënuar vetëm 3 gola në Champions dhe asnjë në Premier League me “topçinjtë”. Dhe kjo ishte arsyeja përse Ëenger e la të lirë të largohej në Janar. Por gjermani duket se mezi po pret rikthimin nën urdhrat e tij.

“Kam ende një vit kontratë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndihesha mirë tek Arsenali dhe me shokët e mi atje. Kam kaluar 2 vite e gjysmë shumë të mira, kam shënuar shumë dhe kam dhënë edhe shumë asiste. Sezonin e fundit, 6 muajt e parë nuk ishin të lehta, për këtë arsye ndryshova klub, por tashmë ndihem gati për t’u rikthyer”.

Top Channel