Tom Doshi kërkon ‘lirinë’, avokatët e deputetit në Gjykatën e Lartë

20/04/2015 00:00

Avokatët mbrojtës të deputetit Tom Doshi, i cili mbahet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzën e dëshmisë së rreme, kanosjes dhe kallëzim i rremë, kanë dorëzuar në Gjykatën e Lartë një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj klientit të tyre.

Ndonëse nuk janë bërë publike argumentet që avokatët do të parashtrojnë para Kolegjit Penal, mësohet se mbrojtja do të mbështetet në dy pika kryesore.

E para është fakti, që sipas mbrojtjes, ka rënë pretendimi i Prokurorisë dhe të pandehurit tjetër në këtë çështje Durim Bami, se Tom Doshi ka regjistruar një video tjetër përveç asaj që është bërë publike, me Bamin nën kërcënimin e armës.

Argumenti i dytë, që pritet të jetë, është pretendimi se nuk ka asnjë akuzë tjetër ndaj Doshit që ka të bëjë me pastrim parash apo fshehje pasurie, fakte këto që janë pretenduar nga Prokuroria ëe momentin kur u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Duke qenë se këto dyshime që kishte Prokuroria nuk janë vërtetuar, sipas avokatëve, klienti i  tyre Tom Doshi nuk duhet të ketë masë shtrënguese sigurie.

Gjykata e Lartë ende nuk e ka caktuar datën kur do të shqyrtojë këtë kërkesë edhe pse fillimisht u përcaktua data 21 Prill. Në këtë datë seanca nuk ka për t’u zhvilluar, pasi një nga anëtarët e Kolegjit Penal që vlerësoi masën e sigurisë ndaj Doshit ndodhet për arsye pune jashtë shtetit.

Top Channel