Bushati: Rritje e bashkëpunimit strategjik me SHBA

20/04/2015 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Uashington ka deklaruar në një intervistë për VOA, se në qendër të vizitës së tij është bashkëpunimi strategjik me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe rritja e rolit të Ballkanit në sfidat ndërkombëtare, me të cilat përballet edhe Evropa.

VOA: Zoti Bushati, cilat ishin temat që diskutuat me sekretarin e Shtetit, John Kerry?

Ditmir Bushati: Me sekretarin Kerry diskutuam për bashkëpunimin strategjik dhe luftën kundër terrorizmit. Por zoti Kerry kërkoi edhe pikëpamjet e Shqipërisë lidhur me çështjet e Ballkanit perëndimor, që po merr një pozitë më të fuqishme duke parë zhvillimet e fundit në brigjet e Evropës.

VOA: Ku konsiston ky bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara?

Ditmir Bushati: Shqipëria do të mirëpresë një samit që do të zhvillohet në maj, si vazhdim i samitit që presidenti Obama organizoi në Uashington. Risia e samitit të Tiranës ka të bëjë me gamën e gjerë të çështjeve që do të trajtohen dhe pjesëmarrës nuk do të jenë vetëm politikanë, por edhe specialistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga gjithë rajoni. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në rajon pasi është anëtare e NATO-s, është vend avokat për shtetet e tjera që synojnë të anëtarësohen në NATO dhe për marrëdhëniet e Aleancës me to. Rajoni po kthehet gjithashtu në një rrjet të rëndësishëm energjitik, me infrastrukturën e duhur për të cilën ka nevojë BE. Gazsjellësit TAP dhe Transadriatik kalojnë në Shqipëri. Këto ishin temat e bisedimeve me sekretarin Kerry dhe nënshkrimi i Marrrëveshjes Strategjike forcon bashkëpunimin.

VOA: Çfarë përmirësimi sjell kjo në këtë marrëdhënie dypalëshe?

Ditmir Bushati: Ne në mënyrë konstante e kemi ndjerë mbështetjen e SHBA dhe nëse sot rajoni është në paqe dhe me sytë nga BE është pikërisht nga ky ndikim. Ne kemi kërkuar një përfshirje më të madhe të SHBA në çështjet evropiane. Marrëveshja Strategjike nuk është një dokument ombrellë, por ofron metodat e dialogut dhe vizitave të larta duke e thelluar bashkëpunimin e interesit strategjik, në një kohë kur Ballkani duhet të përballet me sfidat me të cilat po përballet edhe Evropa.

VOA: Duket se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur interes edhe për sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi

Ditmir Bushati: Ne po marrim mbështetje edhe nga FBI për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe për përforcimin e kapaciteteve administrative. Reforma në drejtësi është themelore jo vetëm për rrugën e anëtarësimit në BE, por edhe për jetën sociale e publike të vendit. Shtetet e Bashkuara kanë investuar jo pak për të gjitha këto dhe konstatoj se sot jemi në të njëjtën gjatësi vale sa u takon instrumentave politikë për realizimin e këtyre objektivave.

VOA: Por Gjykata Kushtetuese e cilësoi si antikushtetues krijimin e BKH-së

Ditmir Bushati: Ne jemi demokraci kushtetuese dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen. Ne do të gjejmë rrugën e duhur për ta jetësuar këtë strukturë, në respekt të vendimit të gjykatës dhe përmes asistencës së FBI. I rëndësishëm është vullneti ynë për të bashkëpunuar me SHBA për luftën kundër korrupsionit, krimit dhe për kthimin e Shqipërisë në një vend kontribues për stabilitetin në rajon.

VOA: Ndalojmë pak tek deklaratat e kryeministrit Rama për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Duket se ato shkaktuan jo pak shqetësime, kur reaguan SHBA dhe BE

Ditmir Bushati: Besoj se kjo çështje ka marrë përgjigje nga kryeministri Rama dhe nga ato që unë kam komunikuar me opinionin publik. Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë dhe në sintoni me SHBA e BE, gjë që konstatohet lehtësisht në dokumentin strategjik që ne kemi nënshkruar me Kosovën. Bëhet fjalë për një keqinterpretim dhe nxjerrje jashtë kontekstit të deklaratës.

VOA: Ndërkohë, presidenti Nishani ktheu ligjin për shërbimin e jashtëm, si do të vijojë më tej kjo çështje?

Ditmir Bushati: Është në të drejtën e tij të ketë një opinion të caktuar, por besoj se do të jetë Parlamenti që do të thotë fjalën e fundit. Unë do të respektoj opinionin e presidentit, edhe pse nuk bie dakord me argumentet e tij.

Top Channel