Deklaratat shokuese për tragjeditë detare

20/04/2015 00:00

Tragjeditë shqiptare të detit, më e madhja prej tyre ajo e Otrantos, ku 86 persona humbën jetën, vijojnë të shërbejnë si precedentë për të tjera tragjedi, pavarësisht se kanë kaluar 18 vite.

Rasti më i fundit, ku Otranto rikthehet në vëmendjen e ndërkombëtareve, është tragjedia e dy ditëve më parë në Itali, kur një anije me 900 emigrantë të nisur nga Libia u fundos, duke çuar në mbi 700 të vdekur.

Pak orë më pas, një deklaratë shokuese u bë nga deputetja italiane e “Forza Italia”-s, Daniela Santanche. Nëpërmjet një interviste telefonike për “Sky Tg24”, deputetja e lidhi këtë tragjedi me atë të Otrantos, duke dhënë edhe një mesazh për politikën italiane.

“Duhet të mbysim anijet. Nuk ka zgjidhje të tjera. Më mirë një akt lufte, sesa të humbim luftën. Zgjidhja e vetme është vënia në lojë e Aeronautikës dhe Marinës ushtarake italiane, që të përgatiten sa më shpejt për të fundosur anijet që nisen drejt Italisë, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën me Shqipërinë”, ishte reagimi i Santanchesë.

Rasti që deputetja i referohet është tragjedia e 28 Marsit të vitit 1997, kur anija ushtarake italiane “Sibila” goditi dhe fundosi anijen shqiptare “Kateri i Radës”, që po lundronte drejt brigjeve italiane përmes Otrantos me 120 klandestinë në bord. 86 persona humbën jetën në atë tragjedi, mes tyre 46 gra e fëmijë.

Kjo nuk është e vetmja deklaratë, që vjen nga një përfaqësuese e Qeverisë italiane. Tre vite përpara tragjedisë së Otrantos, deputetja italiane Irene Pivetti, e cila ka mbajtur edhe postin e kryeparlamentares, pati bërë një  tjetër deklaratë për emigrantët shqiptarë, të cilën e lëshoi nga Senati italian.

“T’i hedhim shqiptarët në fund të detit, të mos i lejojmë t’u afrohen brigjeve tona”. Një dekadë më pas, kur Pivetti erdhi në Vlorë për një vizitë pune në Mars të 2011-s, pati reagime të forta nga familjarët e viktimave të Otrantos. Kryetarja e shoqatës së viktimave të Otrantos, Pushime Çala i rikujtoi deklaratën Pivettit, e cila kërkoi falje si dhe një shtrëngim duarsh, të cilat Çala i refuzoi.

Top Channel