Dëmet e shkaktuara prej luhatjeve të tensionit

20/04/2015 00:00

Luhatjet e tensionit bëhen shpesh shkak për djegien apo dëmtimin e pajisjeve elektroshtëpiake. Një fat të tillë të keq e kanë pasur rreth 50 familje në lagjen “Mark Lulaj” në Shkodër, në fund të vitit të shkuar.

Kin Marku, një nga banorët e dëmtuar thotë se kanë qenë të shumta pajisjet elektroshtëpiake, që i janë djegur.

“Na janë djegur lavatriçe, frigoriferë dhe shumë elektroshtëpiake të tjera për shkak të tensionit tepër të ulët që kishte energjia elektrike në atë kohë. As nuk ka ardhur kush të na shikojë, as të na ndihmojë, asgjë. Jemi marrë vet me këtë punë prej 3-4-muajsh”, thotë Marku.

Kin Marku na tregon se, për shumë familje zëvendësimi i pajisjeve ishte i domosdoshëm dhe për disa familje mjaft i vështirë, për shkak të gjendies ekonomike ku ndodhen. Por, ata kanë nxjerrë një mësim të mirë nga kjo ngjarje.

“Çdo natë, kur ikim apo flemë, i ulim të gjitha dritat, për t’i paraprirë ndonjë problemi tjetër me luhatjen e energjisë dhe dëmeve të tjera që mund të sjellë në shtëpi”, tha Marku.

Luhatjet e tensionit mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme, ose të raste të tjera që mund të riparohen. Vendi i parë ku shkojnë qytetarët për të parë dëmin e shkaktuar janë serviset elektroshtëpiake. Sokol Alibali dhe Haki Kruja na tregojnë shkaqet kryesore të defekteve, që paraqiten në serviset e tyre.

“Defektet e tyre zakonisht ndodhin prej tensionit, por ka edhe të tjera që shkaktohen gjatë funksionimit të tyre”, thonë inxhinierët e serviseve.

Sipas Sokol Alibalit, kjo është periudha që qytetarët çojnë më shumë pajisje të prishura nga defekte të ndryshme. Për të shmangur defektet, të dy inxhinierët japin disa këshilla të vlefshme.

“Duhen mbajtur këto mjete me pajisje mbrojtëse stabilizuese të energjisë, por edhe fikja e tyre në rast se luhatja e energjisë kapet me sy të lirë”. Por gjëja më e mirë është “të rregullohet rrjeti, sepse më pas nuk ka pse të ketë probleme”.

Top Channel