Beogradi refuzon zyrtarisht Thaçin: Arrestim imediat nëse shkel në Serbi

20/04/2015 00:00

Qeveria e Serbisë përmes oficerit ndërlidhës, Dejan Paviçeviç ka njoftuar qeverinë e Kosovës se ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi do të arrestohet në rast të një vizite në Beograd.

Në një letër zyrtare thuhet se, të gjithë qytetarët e Serbisë janë të barabartë para ligjit, duke e quajtur edhe Thaçin qytetar serb.

“Duke marrë parasyh sistemin e drejtësisë në Serbi dhe faktin se aktgjykimi ndaj Thaçit është obligues, ai do të ndalohej në kontaktin e parë me shërbimet e zbatimit të ligjit dhe do të dërgohej në gjykatë”, ka deklaruar Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Arrestimin e tij e kanë paralajmëruar edhe disa zyrtarë të tjerë. Vetë kryeministri Alleksandar Vuçiç ka thënë se Serbia do të veprojë në bazë të Ligjit. Thaçi është gjykuar në mungesë në Gjykatën e Prishtinës më 1 korrik 1997, ku i janë dhënë 10 vjet burg.

Por është akuzuar edhe për shkelje kushtetuese. Pas këtyre tensioneve politike, organizatorët nga Këshilli Rinor për Edukim kanë tërhequr ftesat e tyre për të gjithë ministrat.

Kjo organizatë ka deklaruar se ka pasur presion politik dhe kërcënime.  Titulli i kësaj konference, “Së bashku mundemi më mirë”, duket vetëm një paradoks.

Ndërkohë, edhe zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi konfirmoi marrjen e një letre nga Qeveria e Serbisë, ku paralajmërohet se ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaci, do të arrestohet në rast se viziton Beogradin.

“Është për të ardhur keq, që vendimet e kohës së Sllobodan Millosheviçit po përdoren ende në Serbi, kundër frymës së marrëveshjes së Brukselit. Kosova është bastion i politikës së paqes dhe fqinjësisë së mirë dhe ne jemi në kontakt me bashkësinë ndërkombëtare, që marrëveshja e Brukselit të respektohet në tërësi. Qasja e zotit Thaçi do të jetë gjithmonë pozitive ndaj rajonit dhe ai është duke punuar, që Kosova të lëvizë sa më shpejt drejt integrimit evropian. Ai do t’i marrë të gjitha hapat, që përshpejtojnë këtë rrugëtim”, deklaroi Selimi përmes telefonit për Top Channel. 

Top Channel