Pukë, lajmëron policinë për vjedhje me dhunë dhe përfundon në pranga për kallëzim të rremë

20/04/2015 00:00

Një banor i Pukës, i cili kishte lajmëruar policinë lokale për vjedhje me dhunë, është arrestuar pas verifikimeve të kryera për kallëzim të rremë.

Burime zyrtare të policisë, duke shpjeguar edhe dinamikën e kësaj ngjarjeje, thanë se i arrestuari është 26-vjeçari Edison Kurtaliaj.

“Rreth orës 02.15 të ditës së hënë, shtetasi Edison Kurtaliaj, banues në Pukës, i punësuar në një lokal lojërash fati, në pronësi të shtetasit D.H., ka telefonuar inspektorin e zones të policisë, dyje denoncuar grabitjen e tij, rrugës për në shtëpi, nga dy persona të panjohur. Sipas denoncimi të 26-vjeçarit, dy personat i kanë dalë përpara dhe, pasi e kanë lidhur me tel me gjemba, i kanë marrë shumën prej 100 mijë lekë e më pas janë larguar duke e lënë të lidhur tek pishat”, sqaron policia në njoftimin e shpërndarë.

Menjëherë, pas marrjes së informacionit në vendngjarje shkuan forca të shumta të policisë së Pukës dhe grupi hetimor i Drejtorisë së Shkodrës. Mësohet se personi, i cili kishte telefonuar, u gjet i lidhur me tel me gjemba, i shtrirë në tokë.

Policia tha se, menjëherë i është dhënë ndihma e parë dhe janë marrë masat për sigurimin e vendit të ngjarjes. Më pas, Kurtaliaj u shoqërua në mjediset e policisë lokale për t’i marrë kallëzimin përkatës mbi ngjarjen e ndodhur.

Fillimisht, kjo ngjarje trajtua si vjedhje me dhunë nga policia, e cila në bashkëpunim me prokurorinë kryen një sërë veprimesh procedurale dhe hetimore.

“Në përfundim të tyre dhe nga tërësia e fakteve dhe provave të grumbulluara rezultoi se, shtetasi Edison Kurtaliaj këtë ngjarje e ka improvizuar vetë, nisur nga fakti se kishte shpenzuar vetë shumën prej 130 mijë lekë, fakt të cilin e ka pranuar edhe vetë më pas”, sqaroi më tej policia, duke shtuar se “ndaj Kurtaliajt u krye arrestimi në flagrancë për kallëzim të rremë”.

Top Channel