Kandidatja e PS në Shkodër, takim me përfaqësuesit e sportit

20/04/2015 00:00

Në vazhdën e takimeve me grupet e interesit, kandidatja e së majtës për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari ka zhvilluar të hënën një takim konsultativ me specialistë të sportit.

Të pranishëm në këtë takim ishin figura të njohura të sportit si Esat Rakici, Hysen Zmijani, Sadije Goga, Irfan Damnori, Renato Radoja, Refik Vorfa, Korab Llazani, Avenir Kalaja, Mark Shestani, Enver Muriqi, Kolë Shiroka, Paulin Ndoja e shumë të tjerë.

Në fjalën e saj zonja Bazhdari u shpreh se, bashkia duhet të marrë përsipër të bëjë gjëra që duhen bërë dhe jo premtime që nuk mund të mbahen.

“Nga ana ime premtoj transparencë në nivelin më të lartë dhe kolegjialitet, duke i vënë rëndësi krijimit dhe thellimit të marrëdhënieve publik-privat, ku do t’i jepet rëndësi jo vetëm sportit profesionist por edhe atij amator. 72% e buxhetit të bashkisë është shpenzuar në paga dhe mirëmbajtje ku nuk hyn sporti, të cilit i kushtohet pak kohë, ndërsa në këshillin bashkiak trajtohet me forma zhurmuesi dhe jo me seriozitet”, tha Bazhdari.

Figurat e sportit në këtë takim u shprehën se gjatë gjithë këtyre viteve sporti në Shkodër, qytet i cili e ka traditë këtë fushë, asnjëherë nuk është marrë me seriozitet. Ndaj, sipas tyre, rotacioni në bashki mund të sjellë edhe një rotacion për mirëfunksionimin e sportit.

Në veçanti, ish-presidenti i Vllaznisë, Valert Fusha e vuri theksin tek mënyra se si operohet sot me klubin, që sipas tij duhet të kthehet në një shoqatë dhe jo në shoqëri aksionere.

Top Channel