Si u shpërfytyrua kryeqyteti i shqiptarëve

20/04/2015 00:00

Ç’lloj shpendësh gjallonin dikur në Tiranë? Po sot? Pse u zhdukën e çfarë ka mbetur ende? Tirana e dikurshme dhe ajo e sotmja, mes betonizimit ekstrem mbi 20-vjeçar që i mori gjithçka, që i masakroi trupin, duke i rrudhur gjithmonë e më shumë hapësirat e blerta. Ndërtimtaria absurde e pa asnjë planifikim, mes së cilës humbi shumëçka, ashtu si edhe cicërimat e zogjve.

Nga Tirana e dikurshme, sot është e vështirë të gjesh diçka të paprekur. Ndoshta copëza të shkujdesura, që nuk është e lehtë t’i bashkosh. Edhe nëse i bashkon, ato nuk mund të jenë kurrë të njëjtat, sepse betoni u ka marrë gjithçka. Ndaj, edhe Tirana e dikurshme mbetet peng i fotografive të vjetra, apo pamjeve të një të shkuare, që duket e largët… Shumë e largët.

Sigurisht, zhvillimi i një kryeqyteti, hedhja tej e një diktature sfilitëse, liria e lëvizjes, ekonomia e tregut, e gjithçka tjetër do të sillnin shumëfishimin e popullsisë. Një realitet mëse normal në një vend, që më në fund kish këputur zinxhirët e mbytjes e kufizimit të lirisë, për të ndërtuar një jetë, aty ku çdo qytetar mendon se është më e mira për të. Por, ajo që ndodhi në Tiranë është shembulli më i shëmtuar, sesi mund të shkatërrohet e masakrohet një qendër urbane.

Tkurrja e hapësirave të gjelbërta, betonizimi, ndotja në rritje, zhurmat e mjaft elementë të tjerë, duket se i morën frymën, duke çuar edhe në minimizimin e shpendëve në kryeqytet. Pak kush ndoshta do ta kujtojë, por Tirana dikur ka pasur shumëllojshmëri shpendësh. Shifrat në fakt janë të frikshme. Sipas Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë, nga mëse 50 lloje shpendësh dikur, masa dërrmuese e tyre sot janë larguar, një pjesë duken në të rrallë, e të tjerë edhe janë zhdukur krejtësisht.

“Rreth 10 deri në 30 lloje kanë qenë të zakonshme në qytet. Sot nuk janë më aq të zakonshme, një pjesë e mirë e tyre janë zhdukur, një pjesë tjetër janë pakësuar ndjeshëm. Ndërkaq shikojmë edhe disa lloje, të cilat mund të quhen lloje parazite ose murtaje, që njihen në biologji, të cilat po shtohen ndjeshëm”, thotë Taulant Bimo, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë.

Tirana ka sot rritje të madhe të sorrave, një shpend që ushqehet me gjithçka, kryesisht me mbeturina, çka tregon që në kryeqytetin e ri ka lehtësi për një ushqim të tillë. Ndërkohë që sipas orintologëve, harabelët dhe kumëritë janë dy llojet e tjera, që hasen më shpesh. Pra, Tirana e sotme ka në qiellin e saj mjaftueshëm vetëm këto tre lloje zogjsh, duke qenë se pëllumbat konsiderohen shpendë shtëpiakë. Masakra e ka bërë punën e saj. Mjafton një rrugëtim i thjeshtë në Tiranë, për të kuptuar thatësinë e këtij qyteti. Zogj të trembur, vetmitarë, tufa të pakta e asgjë tjetër.

Për shumë mund të duket e çuditshmë, por tashmë është fakt. Një ulje drastike në Tiranë ka pësuar një nga llojet më tradicionale të shpendëve, e që gjendej dikur me shumicë në qytet, si simbol ndoshta i periudhës më të bukur, pranverës.

“Dallëndyshja bishtgërshërë, nga 15 mijë-40 mijë çiftë që mendohej deri në vitin 2002, sot ndodhet në nivelin e 10-30 mijë çifteve. Pra ka një rënie me 25-30 për qind. Këto rrënjë në fushën e biodiversitetit janë rënie shumë të forta, kur ndodhin në një hark kohor kaq të ngushtë dhe kuptohet, që duhen gjetur patjetër shkaqet, që të ndryshohet si gjendje”, thotë më tej Taulant Bimo.

Por pse kjo rënie kaq e fortë e numrit të dallëndysheve?

“Është një shpend insektngrënës. Do të thotë që, ndoshta rreziku kryesor i tij është ushqimi. Dikur insektet ishin të pranishme në qytet, sot ndoshta janë shumë më të reduktuara dhe ky shpend ka mungesa të ushqimit. Ndoshta rënia e numrit të insekteve ka të bëjë me cilësinë e ajrit dhe ky pastaj është një fenomen, që lidhet me gjithë qytetin, me mënyrën sesi funksionon qyteti”, shton Bimo.

Çafka, që dikur gjallonte në zonat ende të pabetonizuara të lumit të Lanës, nuk duket më anëve të kryeqytetit. Qukapiku sirian është një tjetër lloj i humbur. Çakitjet e tij s’ndihen më në pemët e pakta. Po ashtu Dervishi, me kreshtën mbi kokë, që tashmë u përket vetëm fotografive të internetit. As zokthi me pamje fine, që ekspertët e kanë pagëzuar me emrin kuqalash, nuk gjendet më. Edhe pse dikur mund ta shihje duke fluturuar i lirë, gjithkund në Tiranë. Të katërta këto lloje, sipas studimit të Shoqatës Ornitologjike nuk fluturojnë më qiejve të ndotur të kryeqytetit.

“Krahëthati, një shpend rrëmbenjës, që zakonisht e vizitonte shpesh Tiranën në ndjekje të tufave të pëllumbave, sot gjithashtu është në rrethinat e Tiranës dhe shfaqet shumë rrallë”, deklaron Bimo.

Shumë lloje të tjera janë në rrezik, apo në prag të zhdukjes. Kukuvajka konsiderohet një ndër llojet, që tashmë haset shumë rrallë. Po ashtu gardelina, një nga zogjtë dikur më tradicionalë të qytetit, cicërima e të cilit të mbushte me jetë kudo. Tirana e dikurshme kishte tufa të pafundme me Cerloi, sot jo më, sepse edhe ai është në llojet shumë të rrezikuara. Vështirë se dikush do të mund të gjejë edhe gushëkuqin, me ngjyrat e tij të ndezura e bukur të shkrira me njëra-tjetrën.

Dejka është një ndër llojet, që ka lënë kujtime të vakta në fotografi të rralla. Verduni, me verdhësinë e tij, ashtu si sqeptrashi, që vështirë se ka diçka të vleftë, ku të përplasë sqepin e tij. Gjoni është një tjetër lloj, që e prekte kryeqytetin, e që sot druhet prej pallateve të tij, ashtu si mbretthi, që mund të jetë mbret kudo, por jo në kryeqytetin e ri.

Parku i Liqenit ka qenë dikur një ndër kryeqendrat e shpendëve, e që sot është shndërruar në një hije të vetëvetes. Pallate që vazhdojnë të shtohen, gjelbërim që pakësohet e rrjedhimisht lloje shpendësh që zhduken. Pulëbardha jetonte dikur në këto anë, vetëm dikur, sepse sot s’ka më vend as për kujtimet. E po ashtu edhe bishttundësi i malit. Shumë nuk do të mbajnë mend se dikur në Tiranë e rrethina rritej edhe mëllenja, që shpejt u bë preja e preferuar e gjuetarëve të paepur e menuve të lokaleve përreth. E po ashtu fluturonte Trishtili i madh, siç e quajnë ornitologët një zog të shkrirë në ngjyrat e tij. Pa përmendur grifshën, gugashin e kukuvajkën mjekëroshe, bishttundësin e fishkëllyesin e vogël.

Shumë lloj shpendësh sot janë zhdukur. Ata që kanë mbetur bien prè e rrjetave dhe tregtarëve abuzivë, që në mes të qytetit, në mes të ditës shesin një pjesë të natyrës, të pashqetësuar, sikur gjithçka të jetë pronë e tyre. Shumë nga këta tregtarë kapin dhjetëra zogj, teksa shumica e tyre ngordhin nga stresi i zënies dhe kufizimit pa kriter në kafazë. E askush nuk i shqetëson. Askush. Kjo është Tirana e shekullit të XXI, e vitit 2015. Tirana ku dikur cicëronin zogjtë, e ku sot uturasin vetëm betonieret.

Top Channel