Gjermania i bashkohet vendeve pro “genocidit” turk ndaj armenëve

20/04/2015 00:00

Qeveria gjermane ka ndryshuar qëndrim këtë të hënë, teksa ka mbështetur, ndryshe nga refuzimi i palëkundur i së shkuarës, përdorimin e termit “genocid” për të përshkruar masakrën e rreth 1,5 milionë armenëve prej forcave të perandorisë turke 100 vjet më parë, edhe për shkak të parlamentarëve rebelë që kërkuan këtë vendimmarrje.

Në një aspekt krejt të kundërt, me faktin e të qenit partneri më i madh tregtar në Bashkimin Europian i Turqisë dhe vendstrehim i miliona turqve, Gjermania iu është bashkuar kombeve të tjera dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshi Francën, Parlamentin Europian dhe Papa Françeskun, në përdorimin e këtij termi, aq shumë të dënuar nga Presidenti turk Tayyip Erdogan.

Zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, tha se qeveria duhet të mbështesë një projektrezolutë në Parlament gjatë së premtes, duke e quajtur ngjarjen në fjalë një shembull genocidi.

Gjermania i kishte rezistuar prej vitesh përdorimit të termit “genocid”, edhe pse Franca dhe kombe të tjera e kishin bërë këtë më parë. Por, koalicioni qeveritar i Merkelit është vënë nën presion nga deputetë të Parlamentit gjerman, qoftë edhe të krahut të tyre politik, që të përdorin këtë term në rezolutë.

“Qeveria mbështet projektrezolutën, në të cilën fati i armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore shërben si një shembull i historive të vrasjeve masive, spastrimeve etnike, dëbimeve dhe, po, edhe genocideve përgjatë shekullit të XX”, tha Seibert.

Turqia mohon faktin që ato vrasje, në periudhën kur trupat osmane luftonin ndaj forcave ruse, konstituojnë një genocid. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë fushatë të organizuar për të shfarrosur armenët dhe asnjë provë për të tilla urdhra nga autoritetet osmane.

“Besojmë se nuk ka pasur kurrë një njollë kaq të zezë në historinë tonë”, tha zv.kryeministri turk, Bulent Arinc, i pyetur në lidhje me rezolutën gjermane, duke thënë se votime të ngjashme në parlamentet e kombeve të tjera nuk kanë ndryshuar aspak pozicionimin e Turqisë.

Top Channel