Libi, një milion emigrantë gati për nisje

20/04/2015 00:00

Në brigjet e Libisë janë rreth 1 milion emigrantë gati për t’u nisur drejt Evropës.

Lajmin e ka bërë të ditur prokurori i Palermos, Maurizio Scalia, teksa ka dhënë në një konferencë shtypi detajet e hetimit mbi një rrjet ndërkombëtar që kontrollon udhëtimet e klandestinëve drejt Siçilisë.

“Ka një trafik të pandalshëm qëniesh njerëzore”, ka deklaruar Scalia.

Ndërkohë, policia italiane, me kërkesë të Drejtorisë Rajonale të Antimafias së Palermos, ka arrestuar anëtarët e një organizate kriminale të akuzuar për favorizim të emigracionit klandestin dhe të qëndrimit pa leje në Itali të emigrantëve ilegalë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, të arrestuarit janë nga Eritrea, Etiopia, Bregu i Fildishtë dhe Gana, të cilët për fitime të majme kanë favorizuar trafikun e mijëra bashkëkombasve.

Mes personave të përfshirë në hetim rezultojnë edhe dy personazhe kyç, të konsideruar si trafikantët më të mëdhenj që veprojnë në të ashtuquajturin “shtegu libian”, Ermias Ghermay dhe Medhane Yehdego Redae.

Ghermay, nga Etiopia e që aktualisht jeton dhe vepron në Tripoli, është që prej vitit të kaluar në kërkim, në kuadër të një urdhër-arresti ndërkombëtar, për shkak të mbytjes së 3 tetorit 2013 pranë brigjeve të ishullit të Lampeduzës, ku humbën jetën 366 emigrantë.

Ghermay konsiderohet si organizatori kryesor i asaj dërgese emigrantësh.

Top Channel