Berat, në pranga 5 pronarë lokalesh

20/04/2015 00:00

Struktura të Drejtorisë së policisë së Beratit kanë ekzekutuar pasditen e së hënës një operacion anti-krim kundër lojrave ilegale të fatit.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar 5 persona, të pestë pronarë subjektesh private, kryesisht lokale, të cilat i kishin vënë në dispozicion për aktivitete ilegale kumari.

Sipas burimeve, të arrestuarit janë të moshave nga 22 deri në 47 vjeç dhe pas dorëzimit të materialeve hetimore tek prokuroria e rrethit, ndaj tyre ka nisur proçedimi në gjendje të lirë.

Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 makina lojrash fati, si dhe një kompjuter që shërbente për regjistrimin të ardhurave që vinin nga ky aktivitet.

Ndërkohë, hetuesit nga prokuroria kanë ngritur ndaj të pandehurve akuzat e “organizimit të llotarive të palejuara” dhe “vënies në dispozicion të lokaleve për aktivitete të palejuara”, saktësojnë më tej burimet.

Top Channel