Ambasadori gjerman: Askush nuk merr azil. Të mos politizohet problemi

20/04/2015 00:00

I ftuar në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën këtë të hënë, ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann i bëri thirrje publikisht klasës politike shqiptare që të mos politizojë problemin e azilkërkuesve, por të bashkëpunojë për ta luftuar atë.

“Në këtë situatë është mjaft e vështirë të mos shndërrohet në një debat politik çështja, por çështja është shumë serioze që të bëhet thjeshtë një debat politik mes partive. Si e shikoj unë këtë për nga dimensioni i përmbajtjes? Ajo që më bie në sy, si një i huaj që jetoj prej disa vitesh këtu, është që gjendja sociale është e vështirë. Nga njëra anë shumë njerëz jetojnë me 150 euro në muaj, të tjerëve u shkojnë punët mjaft, mjaft mirë. Unë shikoj vërtet shumë pak angazhim social i atyreve që u shkojnë mirë punët kundrejt atyre që nuk u shkojnë mirë. Kjo bën që të çojë në humbjen e shpresës, mendoj unë. Sërish e parë nga një i huaj, nëse qytetarët e shohin dhe perceptojnë politikën si një grindje dhe debat të vazhdueshëm, nëse gjithçka vihet në dyshim, nëse çdo reformë paragjykohet, si mund të ketë një mirëbesim tek politika? Këtu lind një koktejl mosbesimi dhe njerëzit duan të lënë vendin. Shpresoj që klasa politike të bëhet bashkë dhe të punojë bashkë për zbutur këtë fenomen”, tha Hoffmann.

Gjermania, tha ambasadori gjerman, nuk ka nevojë për emigrantë ekonomikë.

“Nëse dikush ka një kualifikim të caktuar që mund ta vërtetojë, mund të shkojë në Gjermani dhe atje ka 3 muaj kohë sa janë edhe afatet e lëvizjes së lirë, dhe atje të takojë një punëdhënës dhe më pas të rikthehet në Shqipëri dhe të aplikojë në Ambasadën Gjermane. Ne do të dërgojmë dosjen sërish në Gjermani dhe nëse do të miratohet atëherë gjithçka është  në rregull. Thirrja ime për të gjithë, që të jenë të qartë që kjo nuk është rruga e duhur. Mendoj që është shumë e rëndësishme që për këtë çështje faji të mos kërkohet diku gjetkë, por tek vetvetja”, deklaroi ambasadori gjerman.

Shifrat e shqiptarëve që kanë aplikuar për azil ekonomik në Gjermani kanë ardhur në rritje, sidomos muajt e fundit. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori Hoffmann.

“Është një zhvillim dramatik, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Shqipërisë shifrat janë rritur në mënyrë dramatike që prej fundit të 2013-ës. Në 2014 kemi patur diçka më pak se 8 mijë shqiptarë, kemi patur nga kosova dhe maqedonia. Vetëm në Mars të këtij viti kemi patur rreth 3 mijë aplikantë. Në qoftë se do ta llogarisnim me te njëjtën tendencë hipotetike, atëherë do të kishim diku te 36.000 persona vetëm nga Shqipëria”, tha Hoffmann. 

Top Channel