Ambasadori francez: Azilkërkuesit, viktima të bandave kriminale

20/04/2015 00:00

Pjesën e tretë panelit të emisionit “Shqip” iu bashkua ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitouessi. Edhe ai, ashtu si homologu i tij gjerman, mohoi mundësitë për të marrë azil në Francë.

“Do të dosha të thoja që këta persona nuk janë kriminelë, janë viktima të kriminelëve. Viktima të bandave që e dimë shumë mirë sesi veprojnë. Marrin paratë prej këtyre familjeve dhe u premtojnë azil, punësim dhe tejkalim të të gjitha vështirësive administrative. Mesazhi im i parë është që duhet të kujdesemi për këto viktima, janë viktima të një fenomeni kriminal. Ballkani nuk është një ishull krejtësisht i braktisur. Progresi që është bërë që nga 2010… natyrisht që do të thosha që shqiptarët duhet të ecin më shpejt, por të thuhet që Ballkani është një ishull, kjo është e vështirë që ta besoj. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze është shumë i mirë. Nuk kemi asnjë vështirësi teknike për sa i përket rikthimit të shqiptarëve”, deklaroi ambasadori francez.

E ftuar në panel ishte edhe zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea. Ajo tha se Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurtë origjine prej Francës dhe se ka një ulje të kërkesave për azil nga ana e shqiptarëve në këtë vend. I njëjti bashkëpunim, thotë ajo, po kërkohet të arrihet edhe me Gjermaninë.

Ambasadori Fitoussi deklaroi se vetëm 1 përqind mund të marrë statusin. “Ata që mund të gjejnë punë, kanë të drejtë të punojnë në tregun francez. Çështja nuk ka të bëjë me këtë 1 përqind, por me 99 përqind të personave që do të gjenden në një situatë tejet të vështirë”- tha ai.

Top Channel