“Shqip”, ikja e shqiptarëve

20/04/2015 00:00

Emisioni “Shqip” i kësaj të hëne iu kushtua fenomenit që ka përfshirë zonat të tëra të Shqipërisë, largimin për një jetë më të mirë drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Mijëra shtetas kanë udhëtuar kryesisht drejt Gjermanisë me shpresën e marrjes së azilit ekonomik dhe të mashtruar nga ata persona që ambasadori gjerman dhe ai francez i cilësoi si kriminelë.

Gazetari Bashkim Shala, njëri prej personave që ka folur për herë të parë për këtë fenomen thotë se gjithçka nisi me largimin e 40 studentëve të Fakultetit të Ekonomisë dhe më pas nisi trajtimi në media dhe u bë publike. “Mua më duket më shumë se është si një kushtrim, sikur japin kushtrimin që të ikin”, thotë Shala.

Për analistin Lutfi Dervishi gjithçka ka nisur si pasojë e mungesës së informacionit.

“Jemi një shoqëri thashethemi. Është përpjekja për të ndaluar njerëzit për të lëvizur dhe fajësuar organizatorët, por rrënja është që nuk është shpërndarë informacion mbi rregullat e lëvizjes së lirë. Në 2012 lëvizën mbi 30 mijë shqiptarë në vendet e BE-së dhe nuk pati asnjë kërkesë për azil. Ky informacion u ndërpre në 2013 e më vonë dhe ja ku jemi sot, asnjë informacion”, tha ai.

Zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea tha se ka një rritje të numrit të personave që aplikojnë për azil, por ajo nuk e quajti atë një eksod.

“Ka një rritje të numrit të shtetasve shqiptarë që kalojnë nëpër pika të ndryshme kufitare, por nuk është eksod. Është një situatë shqetësuese, një lëvizje shqiptarëve të gënjyer për një azil ekonomik. Qytetarët që ikin në Gjermani në këto forma, është e qartë që do të kthehen. Nuk kanë asnjë mundësi për të marrë azil ekonomik në Gjermani. Arsyet janë shumë të rëndësishme për t’u realizuar dhe kjo është një situatë që kërkon një bashkëpunim institucionesh”, deklaroi ajo.

Gazetari Gjergj Erebara u shpreh se ka përpjekje nga klasa politike për ta fshehur ose përdorur këtë fenomen dhe nuk kemi një analizë të mirëfilltë.

Zv.ministrja Gjebrea shtoi se është hedhur për diskutim mundësia që Gjermania të shkurtojë kohëzgjatjen e procedurave të verifikimit të kërkesës për azil ekonomik.

“Kjo është një çështje që po diskutohet në Gjermani kohët e fundit dhe pasi shifrat janë rritur shumë, sidomos ato nga Kosova dhe Shqipëria. Është menduar që të nxirren edhe pasojat e duhura. Ky do të jetë rasti edhe i aplikuesve shqiptarë. Ne jemi shtet ligjor dhe i kushtojmë rëndësi mjaft të madhe të drejtës për azil, por ka njerëz që e keqpërdorin këtë të drejtë”, tha nga ana e tij ambasadori gjerman, Hellmut Hoffmann.

Top Channel