Kriza e emigracionit, BE harton një paketë masash

20/04/2015 00:00

Bashkimi Evropian ka publikuar një paketë masash në përpjekje për të lehtësuar krizën e emigrantëve klandestinë që ka përfshirë vendet e Mesdheut.

Shërbimi patrullues ‘Triton’ do të përforcohet dhe një mandat ushtarak për shkatërrimin e varkave të trafikantëve do t’i atribuohet. Ndërkohë, një samit i jashtëzakonshëm i krerëve të vendeve të BE-së do të mbahet ditën e enjte.

Por teksa është paralajmëruar samiti, të dhëna të reja për nisje varkash me emigrantë kanë rënë në veshët e agjencive ligjzbatuese.

Kriza u përkeqësua në fundjavë kur qindra emigrantë, mbi 700, u mbytën nga fundosja e një anijeje të nisur nga Libia.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini deklaroi se paketa me 10 masa, e publikuar në një tryezë bisedimesh në Luksemburg, “është një reagim i fuqishëm i Unionit ndaj tragjedive dhe tregon ndjeshmërinë e tij ndaj këtij problemi, si dhe vullnetin politik”.

“Ne po krijojmë një ndjenjë të vërtetë solidariteti evropian për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore, më në fund”, tha Mogherini.

Masat përfshijnë një rritje të burimeve financiare për misionin “Frontex”, që kontrollon shërbimin europian për Mesdheun, “Triton”, si dhe një zgjerim i zonës operative të këtij të fundit.

BE është kritikuar ashpër lidhur me qëllimin e “Triton”, që zëvendësoi operacionin më masiv italian kundër emigracionit, “Mare Nostrum”, në fund të vitit të kaluar.

Top Channel