‘Beteja për qytetin 2015’, zgjedhjet dhe përballjet e forta të 21 qershorit

21/04/2015 00:00

Fushata për zgjedhjet e 21 qershorit do të nisë zyrtarisht muajin e ardhshëm, por me shpalljen e kandidatëve jemi në fushatë edhe pse jo zyrtarisht. Ata kanë nisur takimet e tyre.

Për të folur për përzgjedhjen e kandidatëve në qytetet kryesore dhe për përballjen e tyre ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Mark Marku, publicist dhe pedagog i Komunikimit në Fakultetin e Gazetarisë.

Pandi Gjata: Në syrin tuaj kritik dhe të vëzhguesit nga jashtë, si të janë dukur kandidatët që do të përballen në bashkitë kryesore?

Mark Marku: Partitë kanë pritur njëra-tjetrën për të zgjedhur kandidaturat e tyre dhe e kanë shtyrë deri në momentet e fundit zgjedhjen e tyre. Unë mendoj që kjo ka qenë taktikë e gabuar nga pikëpamja elektorale, sepse do të ishte shumë më mirë që elektorati të mësohej me emrat e kandidatëve.

Pandi Gjata: Sepse një pjesë e tyre nuk janë edhe personazhe publike…

Mark Marku: Mendoj që duhet të kishte një garë të brendshme. Për fat të keq, përveç emrave që kanë qarkulluar dhe justifikimit si të dalë nga sondazhet, në fakt nuk ka pasur garë dhe nuk ka pasur konsultim të brendshëm në parti.

Pandi Gjata: Unë kam veçuar disa nga bashkitë kryesore, atje ku do të jetë edhe vëmendja më e madhe gjatë fushatës, por edhe në 21 qershor. Si të duket përballja e Tiranës, Erion Veliaj-Halim Kosova?

Mark Marku:
Për nivelin e kandidaturave mendoj që është një përballje e fortë. Ndoshta shifrat elektorale e defavorizojnë kandidatin e PD-së, por mendoj se profili i tij është një profil publik shumë i mirë dhe ndoshta ishte zgjedhja më e mirë e PD-së. Halim Kosova është një figurë pak më neutrale nga pikëpamja politike dhe në këtë kuptim unë mendoj se ishte një lëvizje e zgjuar.

Pandi Gjata: Edhe Durrësi është një përballje shumë e rëndësishme. Vangjush Dako, kryetari aktual i bashkisë nga e majta dhe Grida Duma nga e djathta…

Mark Marku: Zgjedhja mes një kandidature të fortë politike, sepse Grida Duma ka një profil politik të spikatur, me kryetarin aktual të bashkisë, do të jetë interesante. Unë mendoja për një kandidaturë nga e djathta, që përveç radhëve të PD-së të bënte dhe një lloj ekspansioni vote jashtë kësaj partie. Mua mu duk shumë interesante kandidatura e Agron Dukës, i cili mund të krijonte një kohezion pak më të gjerë elektoral. Duma është profili politik që mund të kandidojë për një bashki, pasi prej gati dy vitesh ka aktivitet në PD. Por problemi është se a mjafton vota e elektoratit të djathtë? Ndoshta do të ishte dashur të bëhej një testim edhe më i saktë. Nga ana tjetër, Dako është një kryebashkiak që njihet, por problemi është se ka dy mandate dhe këtu krijohen edhe pakënaqësi.

Pandi Gjata: Ndër garat më interesante në këto 25 vjet është ajo në Shkodër, kemi përballë dy zonja. Deri tani nuk kishte ndodhur një rast i tillë, të paktën në një bashki të rëndësishme. Keti Bazhdari dhe Voltana Ademi…

Mark Marku: Unë mendoj se është gjë e mirë që kandidojnë dy femra. Shkodra është një qytet që ka një konotacion kulturor, ka një konotacion politik shumë të fortë, ndoshta gara mes dy femrave e bën më ‘njerëzore’. Unë mendoj, duke pasur parasysh edhe rezultatet e mëparshme, se më shumë shanse ka Voltana Ademi.

Pandi Gjata: Edhe Fieri është interesant, kemi një përballje të dy juristëve, Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike dhe Armando Subashi nga e majta…

Mark Marku: Kjo është një garë shumë interesante. Unë kam shumë respekt për Enkelejd Alibeajn, pasi e kam pasur edhe koleg, por edhe Subashi ka qenë shumë aktiv në radhët e PS-së. Si profil, unë mendoj se Alibeaj i thotë më shumë qytetit të Fierit.

Pandi Gjata: Por ndër vite Fieri ka qenë një bastion i së majtës.


Mark Marku:
Gara aty është shumë e vështirë, nëse Alibeaj fiton do ta arrijë vetëm për shkak të personalitetit dhe aftësive të tij. Edhe fati që ai e ka marrë si sfidë më duket shumë interesant.

Pandi Gjata:  Në Elbasan kemi  një një ish-kryetar, siç është Ardian Turku dhe Qazim Sejdini që është për mandatin e tretë si kryetar bashkie nga e majta…

Mark Marku: Qazim Sejdini ka dy mandate në krye të bashkisë, por praktikisht nuk ka një konsumim, qytetarët nuk ndjehen akoma të mërzitur me të, sepse i është përshtatur natyrës së qytetit. Ndërkohë, Ardian Turku është gjithashtu i tillë, ka qenë në krye të bashkisë. Ai është një figurë shumë interesante, ndoshta nga më të mirat që ka pasur pushteti lokal në këto 20 vjet. Është fat për qytetin e Elbasanit të ketë dy alternativa të tilla.

Pandi Gjata: Kam zgjedhur edhe Vlorën. Jo për nga rëndësia është e 6-ta, pasi është një nga bashkitë kryesore, por vëmendja do të jetë aty sepse duke parë protagonistë politik ndër vite, këtë herë kemi dy kandidatë me profile jo të larta politike, mjeku Dritan Leli nga e majta dhe biznesmeni Genc Deromema.

Mark Marku: Lufta në Vlorë ka qenë shumë e madhe edhe brenda formacioneve politike. Duhet të kemi parasysh se sot lufta nuk bëhet vetëm për qytetin, por edhe për rrethinat. Vlora si territor është e lakmuar. Zgjedhja e këtyre dy figurave tregon se Vlora ka një tendencë të qeveriset nga larg, mos t’u lihet qytetarëve dhe grupeve politike. Si kontekst elektoral për kandidatin e PD-së është më defavorizuese, por herë pas here Vlora ka dhënë sinjale që edhe mund të ndryshojë.

Pandi Gjata: Si e shihni, a do të kemi një përballje, një debat për qytetarët, apo do të kemi atë konfliktin tradicional 25 vjeçar të konfliktit të politikës, me përplasje mes tyre?

Mark Marku: Si fillim duhet parë specifika, pasi është bërë reforma territoriale dhe gara do të jetë e ndryshme nga të mëparshmet. Në këto zgjedhjet bëhet fjalë për një garë pak më të delokalizuar nga pikëpamja territoriale. Gara do të zhvillohet në një territor me një popullsi shumë të madhe dhe kjo mund ta bëjë fushatën më politike. Në këtë drejtim, kandidatët e Partisë Socialiste nuk do të jenë të favorizuar, sepse do të marrin përsipër edhe kostot e qeverisjes së këtyre dy vjetëve. Tashmë nuk bëhet fjalë më vetëm për projektin e qytetit, por për projekte të zhvillimit rajonal.

Pandi Gjata: Sherrnaja e Tiranës, sa mendoni se do të zbresë në këto bashki? Shumica e kandidatëve nuk është se janë protagonist në debatet e ashpra mes palëve.

Mark Marku: Gara elektorale ka specifikat e saja. Më tepër se sa ‘show’ që është gara politike nacionale, gara për pushtetin lokal është konkrete sepse komuniteti i votuesve është shumë afër. Sa më shumë agresive të bëhet fushata, aq më shumë do të rrudhen votat e militantëve.

Pandi Gjata: Sa të rëndësishme do të jenë debatet televizive?

Mark Marku: Sidomos për bashkitë e mëdha, por edhe për bashkitë e vogla, fushata do të jetë më e mediatizuar. Në këtë fushatë mund të luajnë një rol shumë të madh mediat lokale, sepse është e pamundur që kandidati ta përballojë fushatën vetëm në terren.

Pandi Gjata: A i shtojnë vota këto debatet televizive kandidatëve apo votuesi nuk ndikohet?


Mark Marku:
Unë mendoj se lufta për fushatën elektorale bëhet kryesisht në terren. Ekrani ndihmon në forcimin e imazhit dhe në rritjen e autoritetit të kandidatit ose në promovimin e tij kur ai është i panjohur për zgjedhësit.

Top Channel