Siri, OKB-ja bën thirrje për lejimin e ndihmave në kampin palestinez

21/04/2015 00:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar palëve në luftën civile në Siri të mos pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare në kampin palestinez të refugjatëve.

Apeli erdhi pasi kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Pierre Krahenbuhl i tha Këshillit se situata në kamp është tejet e vështirë dhe refugjatët janë duke jetuar në kushte ekstreme.

Situata në kampin e ngritur në 1957 për të strehuar palestinezët u përkeqësua që pas 1 prillit, kur militantët e ISIS nisën një ofensivë.

“Është e rëndësishme që të gjitha palët, veçanërisht qeveria siriane, të
mbështesë kuadrin e OKB-së për të reaguar për situatën e rëndë në
Yarmouk”, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në kamp aktualisht jetojnë rreth 18 mijë palestinezë, të cilëve u privohen ushqimet, medikamentet dhe uji i pijshëm.

Para nisjes së luftës civile në Siri në kamp numëroheshin 150 mijë refugjatë palestinezë, por konflikti i stërzgjatur mes forcave të opozitës dhe ushtrisë së Assad e kanë shndërruar herë pas here kampin në një ‘mejdan’.

Top Channel