Kapiteni tunizian i anijes së tragjedisë akuzohet për vrasje të shumëfishtë

21/04/2015 00:00

Përgjegjësi i udhëtimit me anije në Mesdhe, që rezultoi vdekjeprurës për thuajse 800 persona, tashmë është në pranga. Por autoritetet italiane kanë arrestuar edhe ndihmësin e tij.

Kapiteni tunizian i anijes së mbytur gjatë fundjavës në Mesdhe, një tragjedi që kushtoi me qindra jetë njerëzish, është akuzuar nga autoritetet italiane me vrasje të shumëfishtë. Në aktpadinë e ngritur ndaj tij rëndon gjithashtu edhe akuza e favorizimit të emigracionit ilegal.

E njëjta akuzë u ngrit dhe mbi një anëtar të ekuipazhit. Të dy këta persona ishin në mesin e 27 të mbijetuarve, që mbërriten në Siçili orët e vona të së hënës.

Akuzat vijnë një ditë pasi ministrat e Jashtëm e të Brendshëm të Bashkimit Europian dolën me një paketë masash, në përpjekje për zbutjen e krizës në Mesdhe. Operacionet e kërkim-shpëtimit do të shtohen e do të ketë edhe një fushatë për shkatërrimin e varkave të trafikantëve, që përpara nisjes. Sesa do të kenë vërtet efekt, kjo mbetet për t’u parë.

Rreth 25.000 njerëz janë mbytur në 10 vitet e fundit, në përpjekje për të mbërritur në Europë. Skandali është pra i vazhdueshëm. Por fundjava dëshmoi edhe njëherë në mënyrën më drastike, se politika e deritanishme e BE-së për refugjatët ka dështuar.

800 vetë vdiqën nga përmbysja e asaj anijeje, sipas OKB-së, mes të cilëve edhe fëmijë të moshave 10 dhe 12 vjeç. Zëdhënësja e UNHCR-së, Carlotta Asami thotë se përmbysja e mjetit të tejmbushur mund të ketë ardhur si pasojë e goditjes nga një anije mallrash, që ishte afruar ta ndihmonte.

Ekspertët mendojnë se për shpëtime në rastet emergjente nuk është përgjegjëse vetëm Italia apo BE-ja. Anijet mbushen para syve të vendeve afrikane, ndaj edhe ato duhet të reagojnë. Si fillim këshillohet vendosja e një bllokade në bregdetin e Libisë, për të pamundësuar punën e bandave kontrabanduese, të cilat përfitojnë shumë nga ky biznes.

Nëse është e domosdoshme, atje duhet të shkojnë edhe njësitë europiane të Marinës, për të mos lejuar nisjen e anijeve me refugjatë. Kjo nuk e zgjidh problemin e emigracionit, por do të shpëtonte të paktën jetën e njerëzve.

Një ide është ligjërimi i hyrjes në Europë. Kontrabandistët do të mbeteshin pa punë, sikur BE-ja çdo ditë të organizonte një traget me 1000 migrantë nga Afrika dhe t’i sillte ata në Itali apo në Spanjë. Pa pagesë dhe legalisht. Kjo, sipas përllogaritjeve të ekspertëve, do të thotë se në vit do të kishte 365.000 migrantë, jo më shumë sesa ka tani, kur vijnë me anije.

Top Channel