Turqia zbut qëndrimin: Ndajmë dhimbjen me popullin armen

21/04/2015 00:00

Kryeministri i Turqisë, duke reaguar ndaj debateve për masakrën e armenëve, deklaroi se vendi i tij “do të ndajë dhimbjen” me armenët, parardhësit e të cilëve u vranë 100 vjet më parë gjatë epokës së Perandorisë Otomane.

Ahmet Davutoglu tha gjithashtu se një memorial do të mbahet për herë të parë në Stamboll më 24 prill, me rastin e përvjetorit të ngjarjes së rëndë.

Megjithatë, kryeministri bëri të qartë se pavarësisht deklaratës së tij pajtuese, Turqia nuk do të pranojë që ngjarja ka qenë një genocid.

“Të mbledhësh gjithçka ka ndodhur në një fjalë të vetme, të vendosësh përgjegjësinë përmes përgjithësimit ndaj Turqisë është ligjërisht dhe moralisht problematike”, deklaroi Davutoglu.

Megjithatë, ai pranoi dëbimin e armenëve një shekull më parë duke thënë: “Ne edhe njëherë, me respekt, përkujtojmë dhe ndajmë dhimbjen e nipërve dhe fëmijëve të atyre armenëve otomanë që humbën jetën gjatë dëbimit të vitit 1915”.

Armenia deklaron se të paktën 1.5 milionë banorë të saj u vranë gjatë masakrave dhe dëbimeve të asaj kohe. Turqia nga ana e saj e ka hedhur poshtë përdorimin e termit “genocid”, duke insistuar se bëhej fjalë për një luftë civile nga e cila vuajtën të dyja palët.

Çështja ka shkaktuar polemika mes dy vendeve. Presidenti turk Recep Tayip Erdogan kritikoi ashpër javën e kaluar deklaratat e Papa Françeskut, pasi ky i fundit e cilësoi masakrën masive si genocid.

Top Channel