Durrës, pranga personit që kërcënonte me mesazhe elektronike

21/04/2015 00:00

Një 49-vjeçar i cili kërcënonte një shtetase përmes mesazheve elektronike, është arrestuar të martën në qytetin e Durrësit, pas një operacioni të policisë lokale të koduar me emrin “Stalking”.

Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Kristaq Gjeçi u prangos pasi përmes rrjeteve sociale, kryesisht Facebook dhe mesazheve që dërgonte nga Viber-i dhe aplikacione të tjera i ka shkaktuar të dëmtuarës D.S. një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi e frike për sigurinë vetjake.

Policia shton se, 49-vjeçari, i zbuluar nga specialistët për krime kibernetike, kishte krijuar në mënyrë të paligjshme profile në rrjetet sociale në internet në emër të të dëmtuarës, duke shkelur të drejtat personale dhe të privatësisë së saj.

Mësohet se ndaj Gjeçit rëndon akuza për veprat penale “ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “përndjekje”. Ndërkaq, policia tha se materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për ndjekje të mëtejshme.

Top Channel