Doshi kërkon lirinë, avokatët: Duhet të ushtrojë edhe mandatin

21/04/2015 00:00

Ditën që deputeti Tom Doshi do të mbushë fiks një muaj nën arrest shtëpiak, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e dy avokatëve të tij, të cilët synojnë ta kthejnë atë jo vetëm në liri të plotë, por edhe në Parlament.

Kërkesa e avokatëve nuk u shqyrtua këtë të martë, për shkak se dy nga gjyqtarët mungonin për çështje pune dhe personale.

Avokatët njoftuan se ka përfunduar ekspertimi i kompjuterit të sekuestruar në banesën e deputetit Doshi, në të cilin nuk dihet ende nëse janë konstatuar, apo jo, nga Laboratori i Kriminalistikës, filmimet që pretendon i arrestuari tjetër Durim Bami.

“Zvarritja është e pajustifikuar, edhe pse Prokuroria pretendon se në këtë çështje po vepron me shpejtësinë e dritës. Në fakt, zvarritja është evidente. Deputetit ende nuk i është formalizuar një akuzë konkrete, ende nuk i janë bërë me dije provat që rëndojnë mbi të. Është një situatë absurde, e cila mendoj se duhet të ishte shqetësuese për të gjithë qytetarët”, tha avokati mbrojtës, Vladimir Meçi.

“Nuk mund të kufizohet në aktivitetin e tij, në ushtrimin e detyrës së tij publike, personi që është i zgjedhur sipas ligjit elektoral. Siç dihet, deputeti është një prej këtyre të zgjedhurve. Ka edhe rrethana të tjera, të cilat për momentin nuk do t’i bëjmë publike”, tha Ferid Mucaj, avokati tjetër mbrojtës i deputetit.

Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme thotë se hetimet do të mbyllen brenda këtij muaji dhe se, së shpejti, të dy deputetëve do t’iu komunikohet akuza.

Top Channel