Rama, në Samitin për Ballkanin; diskutohen projektet e përbashkëta

21/04/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, i cili merr pjesë në Samitin për Ballkanin që po
zhvillohet në Bruksel, organizuar nga Komisioni Europian, ka patur një
sërë takimesh këtë të martë.

Rama ka patur një mëngjes pune me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zv.kryeministrin Hashim Thaçi, njëherazi edhe ministër i Jashtëm. Në këtë takim u diskutua për projektet e përbashkëta mes dy vendeve dhe projektet nga të cilët Shqipëria dhe Kosova do të përfitojnë si rezultat i procesit të nisur në Berlin, nën udhëheqjen e Kancelares Angela Merkel.

Gjithashtu, kryeministri shqiptar është takuar edhe me homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviç, me të diskutoi rreth projektit të autostradës Adriatiko-Joniane, projekt që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Greqinë. Dy kryeministrat diskutuan edhe mbi projekte të përbashkëta në fushën e turizmit, sidomos në zonën e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.

Rama u takua po edhe me Komisioneren për Politiken e Jashtme, Mogherini, me të cilën ka diskutuar të ardhmen europiane të Shqipërisë, punën e qeverisë që drejton shqiptare dhe reformat e ndërmarra për të përmbushur 5 prioritetet që e afrojnë Shqipërinë edhe më shumë me Bashkimin Europian.

Kryeministri Rama pritet të takohet gjatë ditës edhe me kryeministrin serb, Vuçiç, dhe homologë të tjerë të rajonit.

Top Channel