BKH, Tahiri: Respektojmë vendimin e Kushtetueses, masa me procedurë të përshpejtuar

21/04/2015 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi sot se, vendimi i Gjykatës
Kushtetuese që rrëzoi ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të
respektohet, por paralajmëroi marrjen e masave me procedurë të
përshpejtuar.

“Askush nuk i ka lejuar vetes komentimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Është një organ që do të ngrihet. Presim zbardhjen, reflektimin dhe marrjen e masave, qoftë nëpërmjet amendimit të ligjit dhe akteve ligjore”, tha ai, duke shtuar se “në respekt të plotë të vendimit, do të marrim masa me një procedurë të përshpejtuar, kur Byroja të ngrihet në këmbë”.

Për ministrin Tahiri, Byroja Kombëtare e Hetimit është një organ shumë i rëndësishëm në korrupsionin elitar, ndaj qeveria është shumë e vendosur për ta ngritur.

“Jemi në bashkëpunim me FBI-në për ngritjen dhe hapjen e çdo procedure, që nga organizimi, kriteret etj. Ky është një partneritet që garanton mbi të gjitha standardet më të larta për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë, siç është korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar kështu e me radhë”, deklaroi Tahiri.

Më herët, gjatë ditës së sotme, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese reagoi edhe kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, që e konsideroi vendimin “një çudi e madhe”.

“Ndonëse si iniciativë u mbështet edhe nga ndërkombëtarët, madje u mbështet edhe gjatë takimit të ministrit të Jashtëm, Bushati, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry, Gjykata Kushtetuse e shfuqizoi. Padyshim nuk diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ky që them unë është një opinion personal, por kjo nuk e ndal qeverinë të kërkojë t’i shkojë deri në fund çështjes. Ne do shtrojmë rrugën për ngritjen e Byrosë Kushtetuese”, u shpreh Braho.

Top Channel