“Die Presse”: Thaçi tronditi sërish Serbinë

21/04/2015 00:00

E përditshmja austriake “Die Presse” ka bërë një analizë mbi vendimin e fundit të qeverisë së Serbisë, për të mos lejuar ardhjen e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në Beograd.

Gazeta vë në dukje se, pavarësisht vajtjes ose jo të Thaçit në Serbi, ai ia ka arritur qëllimit që sërish të trondisë këtë vend dhe njëkohësisht të rikonfirmojë pushtetin e tij në Kosovë.

“Pavarësisht nëse do të shkojë ose jo në Beograd, vetëm me deklarimin e vizitës së tij ish-kryeministri ka konfirmuar pozitën e tij në skenën politike kosovare dhe i ka hapur telashe Serbisë si vend mikpritës refuzues”, thotë “Die Presse”.

Gazeta austriake shkruan se, tani Serbia është në një pozitë të pafavorshme, sidomos sa i takon procesit të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“Nëse Beogradi e ndalon vizitën ose lejon ta arrestojnë mysafirin e padëshiruar, Serbia edhe një herë do të shfaqet si një kryeneçe që pengon paqen në procesin e vështirë të normalizimit. Në qoftë se Serbia lejon vizitën, atëherë i ka të garantuara protestat e dhunshme”, thuhet më tej në analizë.

Gazeta shkruan gjithashtu se, ndryshe nga Serbia, Kosova ka treguar angazhim për paqen dhe ka garantuar sigurinë e presidentit serb Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrit Aleksandar Vuçiç gjatë vizitave në Kosovë.

Duke iu referuar shkrimeve në shtypin serb, “Die Presse” vijon analizën duke nënvizuar se, situata në Serbi mbetet e tensionuar, “me gjyqësorin që kërcënon për arrestim dhe publikun që vlon”.

Top Channel