PDS, në koalicion me PS-në për zgjedhjet. Balla: Vijojnë negociatat me PSD-në

21/04/2015 00:00

Edhe Partia Demokracia Sociale ka zyrtarizuar sot koalicionin me Partinë Socialiste për zgjedhjet e 21 Qershorit.

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, tha për mediat se bashkëpunimim mes dy partive ka rëndësi, pasi ato kanë disa vlera që i bashkojnë.

“Kemi vendosur të kemi bashkëpunim për pushtetin vendor pas zgjedhjeve të 21 Qershorit. Ka nisur ndërkaq zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar para dy vitesh, me shpresën që gjatë javëve në vijim të ketë një zbatim të plotë të saj”, tha Milo, duke shtuar se, ka rëndësi më shumë fryma e bashkëpunimit që PDS-PS kanë pasur gjatë viteve të shkuara.

“PDS rreshtohet në këtë koalicion në emër të disa vlerave që i bashkojnë dhe për t’u dhënë shqiptarëve më shumë besim dhe arsye që të kenë optimizëm për një qeverisje më të mirë në të ardhmen”, u shpreh Milo.

Ai shpjegoi se, për zgjedhjet vendore PDS do të bashkëpunojë dhe do të mbështesë të gjithë kandidatët e PS-së dhe të koalicionit të majtë. “Nuk do të bashkëpunojmë për kandidatët në këshillat bashkiakë. Çdo parti do të garojë vetë për anëtarët e këtyre këshillave”, shtoi Milo.

Ndërsa Taulant Balla, duke e cilësuar PDS-në si një parti simbol, tha se mes dy partive ka patur kohezion. “Zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm për t’i shndërruar qeverisjet lokale në një mundësi zhvillimi. Qeverisja vendore pas 21 Qershorit do të jetë e drejtë, efikase dhe në dobi të qytetarëve”, theksoi Balla, i cili njoftoi vijimin e negociatave edhe me nje tjetër pafrti të spektrit të majtë, Partinë Socialdemokrate.

Top Channel