Minatori kinez gjen vdekjen në Bulqizë

21/04/2015 00:00

Një aksident i rëndë ka ndodhur në minierën e Bulqizës, ku për pasojë ka humbur jetën një minator dhe është plagosur një tjetër.

Bëhet me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00 minuta të ditës së martë në nivelin e 9 të hapjes së thellësisë së minierës, e cila menaxhohet nga kompania “ACR”, sot pjesë e “Balfin Group”.

Mësohet se dy minatorët e aksidentuar He Chuan dhe Du Dabink, që punonin në minierë, ku njëri humbi jetën dhe tjetri u aksidentua, janë shtetas kinezë të kompanisë “Xingang Energy” e cila operon që prej vitit të kaluar e kontraktuar nga “Balfin Group”.

Burime nga kjo kompani thonë se dy viktimat po montonin kavën për vendosjen e ashensorit kur kan humbur ekuilibrin duke rënë nga një lartësi prej rreth 8 metrash.

Minatori i plagosur, pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Bulqizës është dërguar me helikopter drejt Tiranës për një ndihmë mjekësore më të kualifikuar.

Ndërkohë është ngritur grupi i hetimit, ku dhe pritet të zbardhen shkaqet e ndodhjes së këtij aksidenti të rëndë.

Top Channel