Gjermania: Shqiptarët do të kthehen

21/04/2015 00:00

Ambasadori gjerman në Tiranë gjatë një vizite në qytetin e Beratit komentoi si fenomen shqetësues ikjen masive të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe veçanërisht drejt Gjermanisë.

I pyetur për azilkërkuesit ai thotë se ata që ikin për shkaqe ekonomike do rikthehen.

“Pothuajse të gjithë shqiptarët, 999 nga 1000 të tillë do duhet të rikthehen në Shqipëri pasi të gjithë janë emigrantë për arsye ekonomike. Pra nuk bëhet fjalë për azil politik. Proçedurat e azilkërkimit dhe verifikimit të aplikimeve parashikojnë një afat nga 3-5 muaj dhe mendohet që për të gjithë shqiptarët që vijnë me arsye ekonomike do të ketë refuzim azili, siç ka ndodhur deri tani. U bëj apel qytetarëve shqiptarë që të mos bien pre e trafikantëve të qënieve njerëzore, që për hir të fitimeve të tyre përpiqen ta nxisin këtë lloj zhvillimi”- deklaroi Hoffman.

Ambasadori i është përgjigjur edhe pyetjes nëse ky fenomen do ndikojë në proceset integruese të Shqipërisë.

“Nuk është një minus që merr Shqipëria në kuadër të proçesit të integrimit në Bashkimin Europian. Është një fenomen që duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe para së gjithash shqiptarët, sepse është një problem shqetësues nëse shikojmë që popullsia në masa të konsiderueshme, veçanërisht tek të rinjtë, kërkojnë që të largohen nga vendi. Jam mjaft i kënaqur të konstatoj që ne bashkëpunojmë mjaft mirë me qeverinë shqiptare për të mbajtur nën kontroll këtë fenomen”- shtoi ambasadori Hoffman.

Diplomati gjerman komentoi edhe deklaratën e deputetes italiane për mënyrën e ndalimit të fluksit të klandestinëve.

“Këto ishin zhvillime të tmerrshme dhe një gjuhë e tillë është e papranueshme. Ajo që po luhet në hapësirën e Detit Mesdhe është një tragjedi e tmerrshme. Ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të BE-së janë takuar në Bruksel për të marrë masat e nevojshme për ta mbajtur situatën nën kontroll”- u shpreh ambasadori gjerman.

Top Channel